Vrasja në Smilkovc, dënohen dy shqiptarë të tjerë

Gjykata e Shkupit ka dënuar edhe dy shqiptarë të tjerë të arrestuar gjatë operacionit "Monstër" lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Rrahman Asani është dënuar me 3 vjet e gjysëm burg ndërsa Nazif Mehmeti është dënuar me tre vjet burg për armëmbajtje pa leje.
Rrahmani gjatë fjalës përfundimtare mohoi se armët janë të tij dhe se as që ka ditur se ka pasur armë në shtëpinë e tij, ndërsa Mehmeti ka theksuar se kishte siguruar armët për tu mbrojtur nga grabitësit, për shkak se dispononte një lokal që vazhdimisht ishte shënjestër i grabitjeve.
Një muaj më parë me veprën për armëmbajtje pa leje u dënua Ibrahim Sejdini nga Shkupi me gjashtë vite burg.
Mediat proqeveritare maqedonase raportuan sot se me këto dënime mbyllen katër akuzat e ngritura si pjesë e operacionit "Monstër" lidhur me armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, MPB jozyrtarisht bën të ditur se akoma po vijojnë hetimet për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, për të cilën akuzohen 6 persona për kryerjen e saj si vepër terroriste.
Operacioni "Monstër" ka vazhduar me akuzat e partive opozitare shqiptare për arrestime të shqiptarëve të pafajshëm dhe akuzat për terrorizëm. Një pjesë e partive kanë akuzuar gjithashtu për ngecje të procesit gjyqësor, për shkak se MPB sipas tyre ka dështuar në hetimet e këtij rasti, duke mbajtur në burg njerëz të pafajshëm. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar një proces gjyqësor transparent dhe të bazuar në dëshmi dhe fakte.