Vrasja në market, akuza: Autori në video duket se nuk kërkon para
Hetimet
Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë hetimet për vrasjen e Petrit Kurtit, në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Një nga veprimet e para të grupit hetimor ka qenë sekuestrimi i kamerave të sigurisë në market. Kemi analizuar me detaje çdo fragment që duket në video. Nga këqyrja paraprake me specialistë të fushës, ka rezultuar se autori duket se nuk kërkon para, pohojnë burimet nga akuza kryeqytetase, të cilat saktësojnë se veprimet e mëvonshme hetimore do të përcaktojnë shkakun e vrasjes. Ndërkohë, familja ka hedhur poshtë versionin e vrasjes së pronarit të marketit në Yzberisht për konflikte, duke u përqendruar në një grabitës, i cili endet i lirë nëpër rrugët e Tiranës, ndërkohë që mund të jetë edhe përdorues droge. Grupi hetimor dyshon se ai e ka vëzhguar disa ditë marketin, duke planifikuar momentin e grabitjes, kështu që do të studiohen edhe pamjet e tjera të kamerave të sigurisë, të marra gjatë ditëve para vrasjes së Petrit Kurtit, i cili, sipas përllogaritjeve të grabitësit, por edhe dëshmive të tjera të marra nga policia, nuk duhej të ishte në market në ato momente tragjike. Nga ana tjetër, një nga dëshmitë kyçe është edhe ajo e bashkëshortes së Kurtit, e cila ndodhej vetëm pak metra larg vrasësit të burrit të saj dhe mund të ketë fiksuar fytyrën e tij. Ajo ka pohuar se e mban mend autorin dhe se mund ta njohë nëpërmjet fotove. Megjithatë, ajo nuk ka shpjeguar detajet nga ngjarja, pasi, sipas saj, vrasja ka ndodhur shumë shpejt.
Vrasja në market, akuza: Autori në video duket se nuk kërkon para burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip