E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy persona, kryenin trafik droge me biçikletë

Gazeta Shqip

Gjirokastër

Pranga studentit Esmeraldo Qorri dhe Vladimir Rizvos, me 36 kilogramë hashash Lazarati

Dy persona, njëri prej tyre student, janë arrestuar në rrethin e Gjirokastrës. Gjatë kontrollit nga policia të biçikletave me të cilat lëviznin u janë gjetur një sasi e konsiderueshme marijuane. Operacioni policor është zhvilluar mëngjesin e djeshëm. Në pranga kanë rënë Esmeraldo Qorri dhe Vladimir Rizvo. Operacioni policor është zhvilluar rreth orës 01:00 të mëngjesit, ku agjentët e policisë kishin marrë informacion në rrugë operative se dy të rinj po transportonin me krahë një çantë të madhe shpine të mbushur me lëndë narkotike dhe po lëviznin nëpërmjet kodrave përballë fshatit Lazarat në drejtim të qytetit Gjirokastër. Ata lëviznin me biçikleta në terren kodrinor, me qëllim shmangien e postbllokut të policisë, i cili funksionon 24 orë në aksin rrugor Gjirokastër – Jergucat, në vendin e quajtur Kordhocë. Menjëherë, specialistët e sektorit kundër narkotikëve kanë ngritur shërbime grackë dhe nëpërmjet mjeteve speciale logjistike i kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e tyre. Rreth orës 02:00 të mëngjesit, dy të rinjtë kanë zbritur nga kodra përballë Lazaratit dhe janë afruar në drejtim të lagjes Zinxhira të qytetit Gjirokastër, ku në zallin e lagjes së romëve, afër një ndërtese të vjetër, specialistët e sektorit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë ndërhyrë duke kapur dhe arrestuar në flagrancë dy shtetasit që transportonin lëndën narkotike. Në pranga kanë rënë Esmeraldo Qorri, 20 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë, student në universitetin Eqrem Çabej në Gjirokastër, dega Teknologji -Informacioni viti i dytë dhe Vladimir Rizvo, 41 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Zinxhira të qytetit Gjirokastër, i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike. Këta shtetas, sipas policisë, e kishin blerë lëndën narkotike në Lazarat dhe çantën e madhe të shpinës kur janë afruar në lagjen e romëve e kishin hipur në një biçikletë, për të mos rënë në sy. Grupi hetimor ka konstatuar se në çantë ndodheshin gjithsej 22 pako, të mbështjella me letër natriban, transparent dhe me ngjyrë, ku gjithsej iu gjetën rreth 35.9 kilogramë marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve kryer në bashkëpunim. E.S

Arrestohen dy persona, kryenin trafik droge me biçikletë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›