Rikthehet Banda e Çoles në Vlorë, pasardhësit e Zani Çaushit grabitje me armë
Të arrestuarit kishin kontakte telefonike me të burgosurit përjetë
Mikel Marsi
Rikthehet Banda e Çoles në qytetin e Vlorës, ku bënte pjesë edhe Zani Çaushi, i dënuar me burgim të përjetshëm. Gjashtë persona janë vënë nën akuzë për grabitje me armë, ndërsa policia ka ngritur dyshime se ky grup është pasardhësi i bandës famëkeqe që ka vepruar në qytetin bregdetar para viteve 2000. Madje, ka të dhëna se një prej të arrestuarve, Fatbardh Idrizi, është vëllai i Leonard Idrizit që bënte pjesë në Bandën e Çoles. Leonardi është vrarë disa vite më parë dhe vëllai i tij, Fatbardhi, që është arrestuar nga policia, ka ndërruar emrin, duke marrë identitetin e vëllait të vdekur. Një tjetër lidhje me Bandën e Çoles, sipas Policisë së Vlorës, është se një nga të dyshuarit para disa vitesh ka pasur kontakte telefonike me personat që janë në burg përjetë. Mësohet se të arrestuarit kanë marrë urdhra nga shefat e tyre në burg përgjatë viteve 2002-2005. Pas kësaj periudhe rezulton se kanë dalë të pavarur nga shefat që ndodhen ende në qeli.
Operacioni SFIDA 2
Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si dhe me forcat e ndërhyrjes së shpejtë, pas disa muajsh hetimesh ka finalizuar me sukses operacionin SFIDA 2, duke vënë në pranga katër shtetas dhe shpallur në kërkim 3 të tjerë, anëtarë të një grupi kriminal, që kanë grabitur disa njësi tregtare, kazino, disa pika karburanti, si dhe disa shtetasve u kanë marrë gjithçka që kanë pasur me vete. Të gjitha krimet i kanë kryer nën kërcënimin e armëve të zjarrit.
Si rezultat i këtij operacioni, policia ka vënë në pranga shtetasit: Nardi Ismet Idrizi, Joni Ismet Idrizi, Mario Maliq Metaj dhe Armando Izet Likaj, të gjithë banues në Vlorë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë bashkëpunëtorë të tyre E.H., M.V. dhe A.D., banues në Vlorë. Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve është kryer pasi nga hetimet disamujore ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në 9 raste, nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar, kanë vjedhur disa pika karburantesh dhe në një rast një kazino në qytetin e Vlorës. Këta shtetas janë edhe autorë të tentativës së grabitjes me armë zjarri automatike në pikën e karburantit ALPET që ndodhet në rrugën Transballkanike. Në këtë rast, shtetasit e mësipërm kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të patrullës së policisë duke e dëmtuar atë në disa vende dhe kanë rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë gjatë tentativës për arrestimin e tyre në flagrancë nga policia. Mbas kryerjes së krimit, një nga autorët, nën kërcënimin e armës, i ka vjedhur edhe mjetin dhe sendet shtetasit V.Gj., duke e përdorur atë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu, në lidhje me operacionin policor, janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit Elton Veliko dhe Rexhino Aliu, pasi kishin strehuar me qëllim shpëtimin nga ndjekja e policisë njërin prej autorëve të vjedhjeve me armë dhe konkretisht shtetasin Nardi Idrizi.
Koka e grupit
Sipas hetimeve paraprake, grupi i mësipërm drejtohej nga shtetasi Nardi Idrizi, i cilësuar person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe i identifikuar dhe provuar si personi që ka hapur zjarr në të gjitha rastet, si ndaj qytetarëve në tentativat për grabitje, ashtu edhe ndaj patrullës së përgjithshme të policisë më datë 22 gusht 2012 në tentativë për arrestimin e tyre në flagrancë gjatë grabitjes së karburantit ALPET. Pas arrestimit të shtetasve të mësipërm, është bërë edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të armës së zjarrit tip Kallashnikov model 56, që është përdorur nga autorët në të gjitha ngjarjet. Pas arrestimit nga policia dhe përballë provave të pakundërshtueshme, autorët kanë mbajtur qëndrime pohuese dhe kanë dhënë edhe detaje për krimet e kryera.
Grupi i dhunshëm
Sipas policisë, autorët e këtij grupi kriminal kanë qenë tepër të dhunshëm dhe të rrezikshëm gjatë kryerjes së grabitjeve. Nga specialistët e hetimit, ky grup klasifikohet si një nga 2 grupet më të rrezikshme kriminale që kanë vepruar 5 vitet e fundit në qytetin e Vlorës, pas grupit të vjedhjeve me armë të bankave dhe kazinove, të goditur në kuadër të operacionit SFIDA 1. Arrestimi i këtyre shtetasve u krye për veprat penale vjedhje me armë, e kryer në kushtet e bashkëpunimit dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë.
Dy vëllezërit
Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije për Shqip, se dy të rinjtë Leonard dhe Joni Idrizi, vëllezër me banim në Durrës, kanë qenë persona me precedentë penalë në shtetin grek. Ata shpesh kanë qenë të skeduar nga policia greke për vjedhje me dhunë, grabitje me armë, si dhe shpesh kanë qenë personat e dyshuar për tentative vrasje dhe plagosje të shtetasve grekë. Ndërkohë, Policia e Vlorës bën me dije për gazetën, se dy vëllezërit Idrizi nuk njiheshin në Shqipëri për persona me precedentë penalë, pasi qëndrimi i tyre në Greqi ka qenë larg skedimeve për persona me rrezikshmëri në Shqipëri. Dy vëllezërit shpeshherë bënin takime me personat që në Vlorë kanë pasur probleme me policinë dhe merrnin informacion se si kryheshin hetimet për ndonjë ngjarje, a i merrnin shenjat e gishtave për çdo rast, si pyeteshin nga policia gjyqësore, si dhe shumë informacione që kishin të bënin me aktivitetin e tyre kriminal.
Lidhja me Bandën e Çoles
Po ashtu, burimet nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se dy vëllezërit Idrizi kanë pasur një vëlla, i cili ka qenë në bandën e Çoles, atë të Zani Çaushit, dhe që është vrarë në përpjekje me bandat kundërshtare po në Vlorë. Vëllai i tyre, që ka qenë pjesë e bandave të Vlorës, quhej Leonard Idrizi. Pas vrasjes së tij rreth viteve 97-98, një nga vëllezërit e tij ka ndërruar emrin, duke vënë emrin e vëllait të vrarë. Pra, Leonard Idrizi, i cili është arrestuar ditën e djeshme, ka ndërruar emrin nga Fatbardh në Leonard. Po ashtu, sipas burimeve nga Policia e Vlorës, të dyshuarit, para disa vitesh, kanë pasur edhe kontakte telefonike me persona që janë në burg përjetë. Bëhet fjalë për vitet 2002 deri në vitet 2005, dhe më pas të arrestuarit e djeshëm kanë dalë të pavarur nga shefat e tyre.
Skeda e grabitjeve
Natën e grabitjes, sipas policisë, dy vëllezërit Idrizi kishin skeduar 17 objekte për grabitje dhe sipas policisë ata i kryenin këto grabitje nën kërcënimin e armës dhe atë natë, pasi kanë kontrolluar të gjitha këto subjekte, janë ndalur te karburanti. Pasi kanë hasur me policinë, kanë drejtuar armën kallashnikov dhe kanë shtirë në drejtin të tyre pa paralajmërim. Gjetja dhe identifikimi i tyre ka qenë më se i pamundur nga Policia e Vlorës, për shkak të mosnjohjes, si dhe shenjat e gishtave të tyre kanë qenë të panjohura.
Identifikimi
Por ajo që i ka tradhtuar, ka qenë momenti i largimit nga vendngjarja, pasi kishin qëlluar policinë dhe rrugës kanë hequr kapuçat nga koka, që i mbanin gjatë gjithë kohës së grabitjes dhe në momentin që kanë kaluar përballë një biznesi me kamera sigurie, çdo gjë është fokusuar nga këto kamera. Kjo ka qenë një nga faktorët ku Policia e Vlorës ka sjellë edhe fotot e tyre. Momenti i grabitjes së një automjeti gjatë largimit, pasi kanë dalë nga rrugicat, si dhe debatet që kanë bërë me pronarin e mjetit, kanë shërbyer për identifikimin e autorëve, pasi pronari i automjetit i ka njohur në fotot e vëna në dispozicion të dhjetë personave të dysh