E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia mund Gramozin dhe është përkohësisht e dyta

Apolonia mund 3-0 Gramozin dhe katapultohet provizorisht në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit, duke i rrëmbyer pozicionin Besës, e cila do të provojë ta rimarrë sot, kur dhe do të ndeshet me Flamurtarin në Kavajë. Apolonia ka regjistruar dje fitoren e tretë resht dhe të katërtën në shtëpi, duke pasur dhe një rekord të bukur golash: 8 të shënuar dhe asnjë të pësuar. Ndaj një Gramozi të mbërritur në "Loni Papuçiu" me synimin marrjen e një pike në transfertën fierake, Apolonia u paraqit në fushë tepër agresive nga minuta e parë dhe deri te fërshëllima e fundit e gjyqtarit Artan Taullahu. Pas humbjes së 11-metërshit nga ana e kapitenit Sead Haxhibuliç në minutën e 46-të, ishte Edin Ferizoviç ai që kompensoi gabimin e shokut të tij, duke e çuar të qetë skuadrën në dhomat e zhveshjes. Një gol i bukur për Ferizoviçin, vetëm pesë ditë pasi ai ka mbushur 22-vjeç. Pjesa e dytë ishte e tëra "bardhejeshile". Sead Haxhibuliç dyfishoi shifrat në minutën e 58-të (goli i katërt sezonal i tij), ndërsa Agim Meto, me një kryevepër nga gjuajtja e lirë, vulosi shifrat 3-0, duke firmosur fitoren e pestë në shtatë javë kampionat të Apolonisë. "Zonjusha" e drejtuar me kompetencë nga trajneri Esad Karishik, dhe me një grup lojtarësh cilësorë, shfaqet si një pretendente e fortë jo vetëm për një vend në Europë, por ndoshta edhe më shumë.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›