Vrasja për varësen 20-vjeçari mohon akuzën, SHKB nis hetimin për dhunë
Ministria e Drejtësisë do të hetojë gjyqtarët që dënuan të riun
Teksa i arrestuari si bashkëpunëtor në vjedhjen me pasojë vdekjen e 38-vjeçares, nuk pranon të ketë marrë pjesë në këtë krim, duke ngritur alibi se ka qenë në shtëpi, hetimet për këtë ngjarje nuk kanë lënë mënjanë as strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe ato të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. E para pritet të hetojë gjyqtarët për dënimin e dhënë ndaj 20-vjeçarit Aldo Hoxha, i cili ka qenë i dënuar pesë herë për vepra të ndryshme penale, ndërsa e dyta pritet të hetojë punën e policisë dhe procedurat që janë ndjekur për arrestimin e tij. SHKB-ja pritet të reagojë pas deklaratave të prindërve të 20-vjeçarit të arrestuar, të cilët shprehen që djali i tyre është dhunuar dhe keqtrajtuar, me qëllim që të pranonte krimin.
Sipas të dhënave, 20-vjeçari Hoxha, pavarësisht se policia ka deklaruar që ka prova shkencore për arrestimin e tij, nuk e ka pranuar në asnjë moment kryerjen e krimit. Madje, ai ka ngritur alibi se ka qenë në shtëpi ditën e ngjarjes, nga ora 16:00 dhe më pas me familjen ka shkuar në dasmë. Të njëjtën alibi mbron edhe nëna e tij, por policia është e bindur se ka prova të mjaftueshme për të kundërtën. Megjithatë, sipas burimeve, policia e ka pasur të vështirë të bindë edhe prokurorin që të firmosë urdhër-arrestin, duke ngritur dyshime mbi punën profesionale të grupit të hetimit. Por, kreu i policisë së kryeqytetit, ashtu edhe ministri i Brendshëm, janë shprehur të bindur që ky është një ndër autorët e vrasjes së Fatbardha Tafës.
Nga ana tjetër, babai i 20-vjeçarit ka treguar se djali i tij është dhunuar dhe është i pafajshëm për këtë ngjarje të rëndë, duke shpjeguar se do të takojë edhe familjen e viktimës për të sqaruar rrethanat. Ai ka shpjeguar se Aldo është keqtrajtuar nga oficerët e policisë, derisa i ka rënë të fikët dhe më pas është njoftuar ambulanca. Në këto kushte, deklaratat e tij kanë shtyrë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të kërkojë nisjen e hetimeve mbi keqtrajtimin e të riut, megjithëse do të vendoset sot sesi do veprohet më tej.
Gjithashtu, hetim për këtë ngjarje mësohet se ka nisur edhe Ministria e Drejtësisë. Burimet pranë këtij institucioni bënë të ditur se do të hetohet gjykimi dhe vendimi i Gjykatës së Tiranës mbi fajësinë e të arrestuarit për veprat e tjera penale të konsumuara prej tij më parë. Ky hetim bazohet në rrezikshmërinë e menduar të 20-vjeçarit dhe dënimin minimal të dhënë ndaj tij. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë tha se brenda muajit shtator do të dalë me një raport mbi këtë hetim.
Kurse vetë oficerët e hetimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës vijojnë hetimet me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë kriminale, ku mbeti e vrarë Fatbardha Tafa dhe u plagos motra e saj. Sipas policisë, ende vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit të dytë të ngjarjes, i cili mendohet se është edhe personi që qëlloi me thikë viktimën.
Ble. Gi.
Vrasja për varësen 20-vjeçari mohon akuzën, SHKB nis hetimin për dhunë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip