Vrasja dhe arrestimi i autorit të dyshuar
Hetimet
Fatbardha u vra pasditen e vonë të 7 gushtit në Tiranë, pranë ish-Fushës së Aviacionit ku së bashku me motrën që jeton në atë zonë dhe fëmijët e tyre dhe vëllait po shkonin për të qëndruar ndonjë orë. E ndërsa Fatbardha Tafa, emigrante në Itali mbeti e vrarë në përpjekje për të izoluar personin që e sulmoi për ti marrë varësen, në ngjarje mbeti e plagosur edhe motra e Fatbardhës, Lumturie Gjana, në përpjekje për të mbrojtur nga goditjet nipin e saj, Ervisin 13 vjeç, i cili pa sesi e ëma humbi jetën nga agresorët në Tiranë, ku kishin ardhur për të vizituar tezen e tyre. Këtë fundjavë, policia bëri të mundur arrestimin e Aldo Hoxhës, 20-vjeçarit që dyshohet si autori i goditjes fatale me thikë të 38-vjeçares Tafa. Ndonëse i arrestuari ka qëndruar në pozita mohuese ndaj krimit, autoritetet policore kanë deklaruar se ka prova të pakontestueshme që mbrojnë akuzat e ngritura ndaj tij. Përveç krimit të vrasjes, ndaj Hoxhës rëndon dhe akuza e plagosjes me dashje, si dhe ajo e armëmbajtjes pa leje. V. Q.
Vizita
Ministri i Brendshëm dhe dy deputetë të PD-së, vizitë ngushëllimi në familjen e 38-vjeçares
Noka pranon rritjen e krimit dhe kërkon rikthimin e sigurisë
Një ditë pas arrestimit të 20-vjeçarit Aldo Hoxha, si autor i dyshuar i vrasjes së 38-vjeçares Tafa në kryeqytet, kreu i Ministrisë së Brendshme ngushëllon familjen e viktimës dhe premton ashpërsim të goditjes së krimit të rrugës. Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i shoqëruar nga dy deputetët e Durrësit, Igli Cara dhe Osman Metalla ka zhvilluar një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e Fatbardha Tafës në fshatin Hardhishtë të Shijakut në rrethin e Durrësit. Ministri dhe deputetët u shprehën familjarëve të viktimës ngushëllimet e tyre për humbjen e parakohshme dhe të rëndë të njeriut të dashur. Ministri Noka i siguroi familjarët se autori do të marrë dënimin e merituar për krimin e rëndë, ndërsa duke vlerësuar punën e strukturave policore, ai tha se ato janë shumë pranë identifikimit të autorit të dytë të ngjarjes Erdhëm për ngushëllim pas kapjes së autorit për të lehtësuar sado pak dhembjen e familjes. Shumë shpejt do të kemi prova dhe për kapjen e bashkëpunëtorit të kriminelit të kapur, tha Noka. Jetmir Bërzhilla, vëllai i viktimës dhe së plagosurës në ngjarjen e 7 gushtit falënderoi për angazhimin maksimal të strukturave policore dhe kapjen e autorit të krimit. Nga Hardhishta, vendi ku prehet viktima e grabitjes së mbetur në tentativë, ministri i bëri apel Prokurorisë dhe Gjyqësorit që të jenë në lartësinë e detyrës për të ruajtur rendin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve. Duhet të ketë një sinkronizim, bashkëpunim më të mirë për një sukses të garantuar. Krimi do të goditet në të gjitha format e mjetet që njeh ligji, tha ministri i Brendshëm, duke prekur një nga pikat e dobëta të zinxhirit shtetëror në goditjen e krimit dhe sigurisë në vend. Ai kërkoi jo vetëm bashkëpunim, por edhe korrektësi në zbatimin e ligjit në mënyrë që çdo autor krimi të marrë dënimin e merituar për veprën e kryer. Më tej, Noka u shpreh se Policia e Shtetit nuk do të ketë më ndarje në krim rruge dhe i sofistikuar. Krimi nuk mund të ndahet në krim i lehtë dhe krim i rëndë. Krimi është krim dhe do të goditet që në gjenezën e tij. Fokusimi i krerëve të policisë në goditjen e krimit të organizuar përmes deklarimeve publike drejtuar strukturave në vend, rritja e nivelit të papunësisë dhe veseve sociale mes të rinjve duket se krijoi terrenin e përshtatshëm për lulëzimin e krimit ordiner duke shtuar frikshëm numrin e viktimave dhe të dëmtuarve, si dhe pasigurinë e qytetarëve. Noka premton për një rikthim të kësaj sigurie kaq të nevojshme për këdo. V. Qyrfyçi
Shifrat
ADN, 130 vrasës u zbuluan nga analizat
Kriminelët tashmë po zbulohen në laborator. Çdo detaj, çdo gjurmë e harruar në vendin e krimit është një provë më shumë kundër tyre. Në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës, aty ku ndërtohen profilet e kriminelëve, ADN-ja mbetet analiza më e sofistikuar. Në të gjitha rastet kur ka prova me natyrë biologjike, me natyrë humane të cilat mund t’i nënshtrohen testit të ADN-së, ekzaminimit të ADN-së dhe kuptohet kur ngjarja është një ngjarje e rëndë, atëherë ne për çdo rast kryejmë ekzaminimin me anë të ADN-së. Për statistika ne mund të bëjmë 150 deri në 200 në vit, por numri vjen vazhdimisht duke u rritur, thotë Ajdin Mborja, drejtor i Laboratorit Qendror të Kriminalistikës. Dosja e çdo vrasjeje po shoqërohet me provën e pakundërshtueshme për gjykatën, atë të ADN-së. 130 profile ADN-je janë kryer nga ekspertët, të cilët më pas depozitohen në arkivin e laboratorit. Krahas provave të tjera, siç është ajo e krahasimit të gjurmëve të gishtave, analiza gjenetike po kërkohet edhe në rastet civile.
Vrasja dhe arrestimi i autorit të dyshuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip