E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja tek Blloku, 27 vetë të shoqëruar në polici. Flasin dëshmitarët

TIRANE- "Më hapën derën e makinës dhe më thanë që ta dërgoj në spital se ishte i plagosur...” Më këto fjalë e ka nisur rrëfimin e tij K., djali që transportoi drejt Spitalit Ushtarak 38-vjeçarin Elton Fusha, i cili u plagos dy ditë më parë në zonën e Ish- Bllokut në kryeqytet. Ai ka rrëfyer të njëjtin version para strukturave të policisë, por edhe para të afërmve të tij. 

“Isha në makinë, duke ardhur drejt vendit të ngjarjes, por kishte shumë trafik. Doja të parkoja, por kishte shumë njerëz, të cilët shkonin e iknin me vrap. Kur po përpiqesha që të gjeja vend për të parkuar, dy persona më bënë shenjë që të ndaloja makinën. Më hapën derën e pasme të makinës dhe pa më pyetur fare futën aty të plagosurin - që më vonë e mora vesh se ishte Elton Fusha - dhe më thanë ta çoja në spital, se ishte i plagosur dhe se ishte në gjendje të rëndë, mund edhe të vdiste. Kur isha duke ecur, policët më thanë që të ndaloja dhe më pyetën se ku po shkoja. U tregova se kisha një të plagosur dhe u thashë që të më hapnin rrugën. Unë nuk e njihja të plagosurin, bëra sa munda që ta ndihmoja”, - ka pohuar djali që transportoi drejt spitalit 38-vjeçarin. Ndërkohë, të tjerë banorë të zonës ku ka ndodhur ngjarja, rrëfejnë të tjera detaje lidhur me atentatin ku mbeti viktimë 29-vjeçarja Majlinda Hoxha dhe i plagosur Elton Fusha. 

“Isha duke parë televizor, kur dëgjova disa të shtëna. Në fillim mendova se ishin kapsolla, por pastaj e kuptova se ishin të shtëna armësh. Dola në dritare të shikoja se çfarë ishin dhe kishte shumë rrëmujë, kishte njerëz që ulërinin, që thoshin se ishte plagosur dikush. Pastaj pashë se po fusnin në makinë një të plagosur, ishte ajo vajza që vdiq. Pastaj erdhi policia, por nuk dola jashtë se pata frikë”, pohon një nga banoret e pallatit përballë pikës së basteve ku ndodhi ngjarja. Përpara se të dërgohej në spital, 38-vjeçari Fusha ka dalë në rrugë dhe ka kërkuar ndihmë. “Ishim duke pirë kafe kur e pashë në rrugë të plagosurin. Eci disa hapa dhe pastaj u shtri në tokë. U afruan shumë njerëz që ta ndihmonin, sepse ai thërriste ‘Ndihmë, më çoni në spital se jam plagosur’. Pas kësaj, nuk mundi që të fliste më”, pohojnë dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, Elton Fusha ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë, pas plumbave që ka marrë në trup. Familjarët e tij nuk pranojnë që të komentojnë shumë gjatë në lidhje me atentatin ndaj 38-vjeçarit. “Na ka ardhur e papritur të gjithëve. Eltoni nuk ka pasur probleme. Nuk janë të vërteta ato që thuhen, ka punuar gjithmonë për të mbajtur familjen. Ne nuk dimë asgjë se si ka ndodhur. Na kanë thënë mjekët që është më mirë tani”, rrëfejnë të afërmit e objektivit të atentatit të dy ditëve më parë. Po pasditen e djeshme, u hapën dyert e mortit edhe në familjen e Majlinda Hoxhës, 29-vjeçares që humbi jetën aksidentalisht gjatë këtij atentati. Fatosi, bashkëshorti i saj është shumë i tronditur pas vdekjes së të shoqes ndër duar dhe nuk është në gjendje që të flasë për mediat. Të vetmet fjalë që dëgjon nga të afërmit, si duket për të ngushëlluar njëri-tjetrin, janë: “Shyqyr me kaq, shyqyr që nuk u bënë dy viktima nga e njëjta shtëpi”. 

HETIMET 
Atentati ndaj 38-vjeçarit Elton Fusha dyshohet se mund të ketë lidhje me përfshirjen e të plagosurit në trafiqe droge. Të paktën në këtë pistë është duke hetuar policia, por pa përjashtuar mundësinë se atentati mund të ketë lidhje edhe me konflikte të mundshme të Fushës në sektorin e ndërtimit, ku 38-vjeçari operonte bashkë me xhaxhallarët e tij. Grupi hetimor është duke hetuar edhe pistën e hakmarrjes, pasi në vitin 2009, Fusha ka plagosur pronarin e një lokali, Edmond P., pas një konflikti për para. Burime policore sqarojnë se lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar 27 persona, të cilët dyshohen se mund të kenë lidhje me atentatin ndaj 38-vjeçarit. Uniformat blu sqarojnë se Fusha ka qenë në tavolinë me 29-vjeçaren Majlinda Hoxha dhe bashkëshortin e saj, Fatosin, në momentin kur një person ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre. Sipas policisë, objektivi i atentatit ka qenë Fusha, i cili ka mbetur i plagosur, ndërsa 3 plumba kanë kapur edhe vajzën që ndodhej me të në tavolinë në momentin e atentatit, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia bën me dije se autori dyshohet se ka qenë një djalë i ri, i shkurtër, i veshur me rroba të zeza, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes me motor. Sipas policisë, ai ka pasur si objektiv 38-vjeçarin, i cili e kishte marrë me qira pikën e basteve, dhe se nuk ka pasur asgjë me vajzën, në të njëjtën kohë edhe bashkëshortja e pronarit të “Xhoi Llotos”. Mësohet se “në vendin e ngjarjes janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 5 gëzhoja arme zjarri kalibër 9 mm, 3 predha plumbi. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›