E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja tek ish-Blloku, hakmerren “Hakajt”, prangosen at e bir

TIRANE-Në të zbardhur të ditës së djeshme, forcat RENEA të mbështetura edhe nga skuadra operacionale janë dislokuar në Nikël. Me informacione të sakta është përcaktuar vendstrehimi i të riut që u shenjestrua si i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Nadien Zenelit, 32-vjeçarit dibran që u vra në një bar të zonës së ish-Bllokut mbrëmjen e 13 qershorit. I prangosuri i policisë quhet Marklen Haka, vetëm 22 vjeç, ndërsa në pranga ka rënë edhe i ati i tij, Lutfiu, në banesën e të cilit policia ka zbuluar armë zjarri. I biri është kapur “mat” në një banesë shumë larg shtëpisë së tij, i strehuar nga të njohurit e vet, të cilët janë shoqëruar që të gjithë dhe do të jenë në dispozicion të hetimit, ndërsa akti i ekzekutimit të Zenelit dhe i plagosjes së dy miqve të tij dibranë i faturohet 22-vjeçarit Hakaj. Policia, orëve të vona të së mbrëmshmes ka bërë publike pak detaje në lidhje me dyshimet që çuan në identifikimin e Marklen Hakajt, edhe pse autori i atij ekzekutimi mund të jetë vrasësi më me shumë dëshmitarë në historinë 20-vjeçare të krimit në vend. Me dhjetëra e dhjetëra njerëz u bënë dëshmitarë të sipërmarrjes së të riut; të hyrjes me armë në dorë në lokal duke u drejtuar për nga tavolina ku ishte ulur shënjestra e tij; të ekzekutimit të klientit që ishte i shoqëruar me dy shokë dhe dy femra; të plagosjes edhe të dy të tjerëve dhe më pas, të ikjes së tij qetësisht nga vendi i ekzekutimit.
Hakmarrje
“S’di gjë unë, s’kam vrarë njeri”. Kjo është fraza e vetme që policia ka mundur të nxjerrë nga i riu 22-vjeçar, që u arrestua bashkë me të atin ditën e djeshme për vrasjen e Nadien Zenelit. Ndërsa motivi që policia ka hetuar për të shkuar tek autori Marklen Hakaj është hakmarrja. Sipas tyre, mendohet se 22-vjeçari u hakmor për vrasjen e vëllait të tij 7 vite më parë në Nikël, një nga zonat më të përgjakura në vend, për vrasje mes fisesh. Roland Haka është djali i Lutfi Hakajt, i cili u vra në rrethana misterioze, ndërsa asokohe Nadien (Bledar) Zeneli ishte dhëndër në fisin e Hakajve. Gjithçka u la në harresë, pasi dibrani jo vetëm që ishte dhëndër fisi, por madje u tha se ishte edhe krahu i djathtë i “të fortëve” të Hakajve, të cilët u përfshinë në vrasje dhe u vranë. Emri i dibranit u lakua jo pak kohë si i përfshirë në vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, për të cilët sot e asaj dite akuzohen dy djemtë nga Vlora, Sokol Halilaj dhe Gramoz Rexhepi. Policia e Tiranës, menjëherë pas vrasjes nisi të merrej me skedën personale të viktimës, që nga dyshime mbi prishje pazaresh e deri në hetim të përplasjeve për zotërim kromi në Bulqizë. Por dy të plagosurit, Tafë Mandri dhe Bledar (Blerim) Miho, si dhe dy femrat që u gjenden në shoqërinë e tyre dhanë detaje të hollësishme për hetimin e çështjes. Policia fillimisht hamendësoi për vrasës me pagesë, edhe pse autori ishte pa asnjë lloj mjeti maskues në momentin e ekzekutimit të 32-vjeçarit dibran që jetonte në Fushë-Krujë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›