Drafti për gjyqësorin, në Kushtetuese
Shoqata e Gjyqtarëve denoncon draftin e Alibeajt dhe tentativën e tij për të vënë nën “fre” sistemin e drejtësisë
Bejleri: Projektligji “Për Administratën Gjyqësore” e var punën e gjyqësorit tek qeveria
TIRANË- Ditë të këqija për sistemin tonë të drejtësisë. Pas alarmit të kryeprokurores Ina Rama se ekzekutivi kërkon të vërë nën varësi organin e akuzës, edhe gjyqtarët kanë denoncuar tendencën për të vënë “nën fre” gjyqësorin, nëpërmjet projekt-ligjit “Për Administratën Gjyqësore”. “Të miratosh në Kuvend projektligjin “Për Administratën Gjyqësore”, do të thotë të varësh punën e gjyqësorit nga ekzekutivi”,-kanë reaguar dje anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilët bënë me dije se draftin e kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese. Nëpërmjet një konference për shtyp, anëtarët e kësaj shoqate u kërkuan deputetëve shqiptarë të mos e miratojnë draftin ligjor, të propozuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke e cilësuar atë si cenim të pavarësisë organizative dhe funksionale të pushtetit gjyqësor.
***
Sipas kryetares së shoqatës së gjyqtarëve, Manjola Bejlerit, nëse ky projektligj do të miratohet dhe më pas do të vihet në fuqi, sekretaret gjyqësore nuk do t’u binden më gjyqtarëve, duke u justifikuar se janë nomenklaturë e ekzekutivit dhe jo e gjyqësorit. “Kjo është shumë e rrezikshme për punën tonë”,-tha Bejleri, duke bërë me dije se drafti ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese ku pritet të jepet një verdikt përfundimtar për kushtetutshmërinë e këtij projektligji, përpara se Parlamenti dhe deputetët të votojnë mbi ndryshimet e bëra në draftin ligjor. Kryetarja e Shoqatës, Bejleri,kërkoi pezullimin e veprimeve të Kuvendit të Shqipërisë për miratimin e këtij projekt-ligji, seanca plenare e të cilit është planifikuar të mbahet ditën e hënë. “Që prej 18 shkurtit 2008, organizimi dhe funksionimi i pushtetit gjyqësor u rregullua me një ligj të ri dhe konkretisht me ligjin nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Në nenin 37 të këtij ligji sanksionohet se: kancelari i gjykatës drejton dhe përgjigjet për shërbimet ndihmëse në gjykatë dhe kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë”,-tha Bejleri, duke shtuar se në këtë mënyrë, gjyqësorit i është hequr e drejta e administrimit të shërbimeve në gjykatë, duke ia kaluar këtë kompetencë ministrit të Drejtësisë.
***
“Në këtë mënyrë duket qartë se këto dispozita i kanë hequr totalisht mundësinë pushtetit gjyqësor për të administruar shërbimet në gjykatë, duke ia kaluar habitshmërisht Ministrisë së Drejtësisë, organ i cili i përket pushtetit ekzekutiv. Me këto ndryshime, administrimin e shërbimeve gjyqësore nuk e ka më nën varësinë e tij sistemi gjyqësor,por ky është aneksuar në favor të pushtetit ekzekutiv me anë të ministrit të Drejtësisë si nga ana administrative ashtu edhe financiare”,-shtoi Bejleri. Sipas kërkesë- padisë, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, thuhet se me anë të këtij ligji, ekzekutivi cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor si parim kushtetues; cenon pavarësinë organizative të pushtetit gjyqësor dhe pavarësinë funksionale të këtij pushteti. Bazuar në këto konkluzione, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka kërkuar dy ditë më parë, konkretisht më 19 shtator në Gjykatën Kushtetuese: ”Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Neneve 37/2; 38/a,b të Ligjit Nr. 9877, Datë 18.02.2008 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”,-thuhet nga kryetarja Manjola Bejleri.
Shoqata e Gjyqtarëve denoncon nxitimin me të cilin u hartua drafti për administratën gjyqësore
“Projektligji nuk përfshiu
gjyqtarë në grupin e punës”
TIRANË- Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka denoncuar dje edhe mospërfshirjen e gjyqtarëve në grupin që hartoi draftin për administratën gjyqësore. Manjola Bejleri kritikoi përsëritjen e kësaj mënyre të proceduari dhe shpejtësinë me të cilën janë kryer dhe po kryhen këto procese të formulimit e miratimit të ligjeve për drejtësinë, duke mos i përfshirë as në debatet apo diskutimet në komisionet e ligjeve, para se këto drafte të kalojnë për miratim në seancat plenare. “Kjo mënyrë e përshpejtimit të formulimit dhe miratimit të ligjeve nuk ka të bëjë aspak me normat demokratike dhe vë në dyshim zgjidhjet më të mira për reformën në drejtësi”,-tha gjyqtarja Manjola Bejleri, që mban edhe postin e kryetares së kësaj shoqate. “Gjithashtu, për hartimin e ketij projekt-ligji nuk është marrë mendimi dhe nuk është përfshirë as anëtarët apo përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në grupin e punës, duke e përjashtuar qeverinë e gjyqësorit si grupimi më i interesuar në këtë projekt”-tha Bejleri, duke i apeluar deputetëve të Kuvendit të mos miratojnë këto ndryshime të propozuara nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas saj, miratimi i këtij ligji antikushtetues do të thellonte jo vetëm papajtueshmëritë me Kushtetutën në cënim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por sjell dhe çorganizim dhe dëmtim të punës së përditshme të gjykatave. “Të pretendosh se kjo gjë bëhet në të mirë të punës në gjyqësor, është fyerje jo vetëm për inteligjencën e gjyqtarëve, por edhe të kujtdo tjetër që aspiron për një shtet të së drejtës. Ne dëshirojmë dhe i bëjmë sërish thirrje për bashkëpunim Ministrisë së Drejtësisë, për realizimin e qëllimit të rritjes së garancive të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”,-nënvizoi kryetarja e SHKGj-së,Manjola Bejleri. Ajo kërkoi që kjo reformë në drejtësi të mos shfrytëzohet nga ekzekutivi për të dobësuar pushtetin gjyqësor apo për ta vartësuar këtë sistem nga ekzekutivi apo legjislativi.F.Vezaj
REAGIMI
Spahiu: Draftet të bëhen ditën
me diell dhe jo në errësirë
TIRANË- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka kritikuar për “Zërin e Amerikës” mënyrën sesi është hartuar drafti “për Administratën Gjyqësore”. “Projekte të rëndësishme në institucionet kushtetuese duhet të hartohen ditën me diell dhe jo në errësirë, pa duhet të ketë një proces ku të dëgjohen grupet e interesit”,-ka thënë Spahiu, duke denoncuar mospërfshirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në grupin e punës. Spahiu e ka cilësuar tepër të rëndësishëm një projektligj për administratën e gjyqësorit, me qëllimin e vetëm për ta ngritur atë në standardet evropiane. “Por në të vërtetë, Këshilli i Larte i Drejtësisë, i cili është qeverisja e gjyqësorit, nuk ka qenë as pjesë e grupit të punës, nuk ka qene as e mendimit për këtë projekt, ndoshta më duhet të them që kjo është hera e parë që marr informacion për këtë çështje”,-ka reaguar Spahiu për “Zërin e Amerikës”.