Vrasje në Kamëz, humb jetën një i ri plagosen dy të tjerë
Tiranë- Një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën mbrëmjën e djeshme një 28-vjeçari nga Tropoja dhe ka lënë të plagosur dy të tjerë pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës, në Tiranë.
Mësohet se rreth orës 22:30 tek rrethrrotulli i Kamzës nga të shtënat me armë ka humbur jetën Flamur Toskaj dhe kanë mbetur të plagosur Fatjon Biberaj dhe Ramiz Bashuka të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak.
Mjekët bënë me dije se Bashuka, i cili rezulton të jetë edhe efektiv i burgut të Fushë-Krujës, ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa Biberaj është në gjendje kritike për shkak të plagëve të marra.
Sipas policisë viktima dhe të plagosurit kanë qënë në automjetin tip Volswagen’ me targa AA 391 AC kur janë qëlluar nëntë herë me me pistoletë nga dy persona prej një automjeti tip ‘Golf 4′ të zi, të cilët janë larguar në drejtim të paditur.
Nga hetimet paraprake policia dyshon se shkak është hakmarrja mes dy palëve duke e lidhur krimin me disa vrasje në kryeqytet, si ajo e ekzekutimit të pronarit të tavernës pranë Prokurorisë së Tiranës në Maj të këtij viti. Policia thotë se viktima ishte plagosur me 2 Gusht të këtij viti pranë fabrikës së miellit tek “Unaza e Re” dhe mësohet se ka pasur precedentë të mëparshëm penal për “plagosje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sakaq hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve dhe arrestimin e tyre.
/IDEA/