E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmeti binjakëzohet me Konicën, mundësi ekonomike bashkëpunimi

Përmet- Qyteti i Përmetit është binjakëzuar me qytetin e Konicës së Greqisë. Ceremonia është organizuar në Qendrën Multifunksionale të qytetit të Përmetit në praninë e përfaqësuesve të pushteteve vendore të të dyja qyteteve kufitare. Po ashtu të pranishëm në ceremoni ishin edhe qytetarë dhe biznesmenë përmetarë.

Palët kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi i cili sipas kreut të Bashkisë së Përmetit, Gilbert Jaçe, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni ndërkufitar.

Më së shumti ne duam të përftiojmë nga eksperienca greke, pasi ajo që ne duam të ndërtojmë, ajo Evropë që ne dëshirojmë e kemi kaq pranë kufirit. Dhe duam të shkojmë në të njëjtën rrugë duke ndërtuar të njëjtat mjedise, të njëjtat shërbime dhe standartesh shërbimesh ashtu si miqtë tanë nga ana tjetër e kufirit. Sigurisht kjo do t`i japë një frymarrje tjetër ekonomisë lokale jo vetëm në Përmet por edhe në Konicë, sepse është një marrëveshje e ndërsjellë,- tha kryetari i Bashkisë së Përmetit.

Sipas tij, të dyja qytet janë qytete të paprekura fatmirësisht nga betonizimi, prandaj kjo do të shihet si një mundësi për zhvillimin e turizmit. Ceremonia do të përsëritet edhe në qytetin e Konicës në muajin shtator dhe përfaqësuesit e Bashkisë së Përmetit do të udhëtojnë drejt qytetit grek.

/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›