Vrasjet 2009,në minimumin historik, vetëm 79
TIRANE - Departamenti i Hetimit të Krimeve në Policinë e Shtetit zhvilloi dje analizën e punës për vitin 2009, duke evidentuar se këtë vit ka pasur 79 vrasje, çka shënon minimumin historik të viteteve të fundit. “Në fokus të gjithë veprimtarisë sonë, ashtu si edhe gjithë Policisë së Shtetit, kanë qenë detyrimet që vendi ynë ka për procesin e liberalizimit të vizave, plotësimin e gjithë kuadrit të udhërrëfyesit për këtë qëllim, lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si fenomenet më të rrezikshme të një shoqërie demokratike, lufta kundër gjithë formave të krimit ekonomik, duke tentuar të jemi një polici e denjë për t’u rreshtuar në krah të parterëve tanë Euro-Atlantike”, theksoi zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Hetimin e Krimeve, Agron Kuliçaj. Ai prezantoi rezultatet e arritura gjatë vitit 2009, duke thënë se strukturat qendrore dhe vendore, jo vetëm që kanë ruajtur ritmet e viteve të shkuara, por janë angazhuar plotësisht për të maksimalizuar rezultatet në luftën kundër krimit, si dhe në rritjen e treguesve të punës dhe performancës së punonjësve të saj. Për të disatin vit rresht, vrasjet në Shqipëri mbahen me rendin dyshifror, por ky vit përbën rekordin e tyre, me 10 vrasje më pak e me një zbulueshmëri më të madhe në shifrën 88 për qind. Kuliçaj vlerësoi kontributin e punonjësve të policisë, si dhe sakrificat që këta punonjës kanë bërë në luftë me të keqen. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë dhe vlerësuar kujtimin e atyre punonjësve të këtij Departamenti që kanë rënë në detyrë, zv.drejtori i përgjithshëm kërkoi një minutë heshtje për 4 oficerët e policisë, që u vranë në tragjedinë e Durrësit, gjatë arrestimit të Dritan Dajtit. Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha bëri apel që policia të plotësojë të gjitha deytimet, që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave. Basha vlerësoi rezultatet e arritura nga strukturat e hetimit të krimit në goditjen e elementëve dhe grupeve kriminale, rezultate që kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e klimës së sigurisë në vend. Ministri u shpreh se rezultatet në këtë drejtim dëshmojnë më së miri për luftën pa kompromis dhe me tolerancë zero të strukturave të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. e.d