E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, KRRT-ja miraton planin rregullues të qytetit

 POGRADEC - Bashkia e Pogradecit miratoi planin rregullues të qytetit. Kjo do të sjellë disiplinimin e ndërtimeve në qytet, por edhe zbatimin me efikasitet të investimeve në infrastrukturë. Një nga qytetet më të prekura nga ndërtimet pa kriter, ku nuk është harmonizuar në 20 vitet e fundit tradita me modernen, Pogradeci, ka nevojë për një harmoni urbanistike. “Në rast se një plan rregullues do të ishte zbatuar 20 vite më parë, do të kishte një disiplinim më të madh mes ndërtimeve të vjetra dhe të reja. Gjithashtu do të kishte harmonizim mes objekteve ekzistuese që i përkasin zonës historike dhe pjesës së zgjerimit me hapësirat e reja, ku aktualisht dominojnë ndërtesat e larta dhe me karakter modern”, u shpreh kreu i bashkisë, Artan Shkëmbi. Plani rregullues parashikon sistemimin e rrugëve, krijimin e shëtitoreve, bulevardet, segmentet me korsi të veçanta për mjetet dhe biçikletat, përmirësimin e sistemit të kanalizimeve dhe sidomos ruajtjen e zonës muzeale. Sipas Shkëmbit, me planin e ri rregullues të miratuar në KRRT do t’i jepet zgjidhje një sërë problemesh, si dhe zhvillimit arkitekturor dhe urban të qytetit. Qyteti i Pogradecit ka një shtim të ndjeshëm popullsie dhe rezulton që gjatë 20 viteve të fundit ndërtimet e shumta kanë cenuar anën karakteristike të tij.          g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›