U mbyt në lumë, 13-vjeçarja gjendet pas 4 ditësh
VLORE - Gjendet pas katër ditësh trupi i 13-vjeçares që u mbyt në ujërat e lumit Shushicë. Trupi i saj u gjet në anë të lumit, disa kilometra larg vendit që u përpi nga rrjedha. Kanë qenë banorët dhe bashkëfshatarët, të cilët gjatë kërkimeve të tyre bashkë edhe me policinë arritën të zbulonin vendndodhjen e të miturës, në një degëzim që merr lumi, në afërsi të fshatit Kote. Për katër ditë me radhë, kërkimet intensive u kryen edhe nga efektivët e RENEA-s. Trupi i të ndjerës u transportua dje për në fshatin Gjormë, nga ku do të përcillet për në banesën e fundit. Ngjarja ndodhi në orët e pasdites të së shtunës, në afërsi të fshatit Gjormë. Të dy fëmijët, motër e vëlla kanë qenë në pjesën e tokave të tyre kur kanë tentuar të shkojnë në shtëpinë e tyre në fshat. Si çdo herë tjetër, ata kanë tentuar të kalojnë lumin me kalë nëpërmjet lumit. Por moti i keq ka bërë që ujërat e lumit Shushicë të jenë të fryra nga prurjet që vijnë nga fshati Kuç. Kalimi i lumit drejt pjesës që lidh fshatin ka qenë i vështirës. Kafsha është trembur nga prurjet e lumit dhe është rrëzuar së bashku me 13-vjeçaren dhe vëllain e saj 15 vjeç. Ky i fundit arriti të dilte në anë me not, ndërsa e mitura nuk mundi t’i bëjë ballë vërshimit të ujërave. q.b