E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti me ish-deputetin, viktima simpatizant i PS-së

 SHKODER/ RITVAN DIBRAHasan Guçi, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik të së dielës bashkë me ish-deputetin Lekë çukaj ishte simpatizant i PS-së. Viktima 58-vjeçar mësohet se ishte pronar i një lokali pranë degës lokale të Partisë Socialiste në Shkodër, aty ku kishte dhe shtëpinë. Ngushëllimet në familjen e tij janë bërë dje nga deputetët socialistë dhe vetë kreu i PS-së, Edi Rama, para se të kryheshin homazhet në nderim të ish-kolegut të tyre, Lekë çukaj. Ish-deputeti humbi jetën pas përplasjes së makinës së tij me atë të Guçit, në superstradën Fushë-Krujë – Laç në orët e mbrëmjes së 20 dhjetorit. Në nderim të çukajt, paraditen e djeshme u kryen homazhe në ambientet e Këshillit të Qarkut të Shkodrës. Banorë të shumtë të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe të të gjithë spektrit politik kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, të organizuar nga familja e politikanit dhe kryesia e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që kryetari i PS-së, Edi Rama ka vizituar të dyja familjet e viktimave në orët e para të ditës, duke mos marrë pjesë në homazhe, për shkak të axhendës në kryeqytet. Nga ora 10.00 deri në 12.00, me qindra banorë të qarkut të Shkodrës, por edhe shokë e miq e politikanë i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit të qarkut Shkodër, Lekë çukaj, i cili për 2 legjislatura përfaqësoi banorët që e zgjodhën në parlament. Deputetët e këtij qarku, pavarësisht ngjyrimeve partiake, por edhe drejtuesit më të lartë të PS-së si dhe të partive të tjera, ish-deputetë të legjislaturave të mëparshme, kanë qenë të pranishëm në homazhe. Pranë trupit të çukajt është vendosur një numër i madh kurorash, si: në emër të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, këshillit të Qarkut Shkodër, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, PSV ‘91, etj. Deputeti socialist, Pandeli Majko, pohoi se kjo ngjarje i ka shokuar të gjithë. “Të dy njerëzit që kanë humbur jetën kanë qenë dy persona tepër të veçantë për ne, kështu që të thuash dhimbje është tepër pak”. Ndërsa Petro Koçi, kryetar i PSV ’91 u shpreh se vdekja e çukajt është humbja e një intelektuali, i cili ka kontribuar me sakrificë e sidomos në vitet pas ’97-ës për ta përfaqësuar Shkodrën në Parlamentin shqiptar. “Më vjen mirë që sot shoh politikanë të spektrave të ndryshëm politikë, që me sa duket është një mesazh që ne duhet të kujtohemi e të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin, jo thjesht në ngjarje të tilla, por të mblidhemi dhe më shumë për interesin e përbashkët dhe atë publik”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›