E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau e i dogji burrë e grua

Prokuroria e Fierit i kërkoi Gjykatës dënimin me burgim të përjetshëm për Xhevit Malkajn, autor i masakrës së Belishovës.

Prokurorja e çështjes, Elsa Miho, deklaroi para trupit gjykues se provat e paraqitura deri më tani në Gjykatë janë vërtetuar si dhe janë pranuar edhe nga i riu që vrau dhe dogji çiftin Enver dhe Hazbije Myftaraj.

“Kërkojmë dënim me burgim të përjetshëm dhe përjashtimin e mundësisë së lirimit me kusht për Xhevit Malkajn. Prokuroria ka arritur të sigurojë prova bindëse, të cilat e bëjnë fajtor Malkajn për disa vepra penale.I pandehuri akuzohet për veprën penale të ‘vrasjes në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave’, po ashtu për veprën penale të ‘shkatërrimit të pronës me zjarr, me pasoja të rënda’, ‘mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë’ dhe ‘vjedhje e mbetur në tentativë’, parashikuar këto nga nenet 79/dh 151/2,280 134/1 dhe 22 të Kodit Penal”. Kjo ishte pretenca e dhënë dje për të riun nga fshati Belishovë e Mallakastrës.

Në sallën e gjyqit kanë qenë mjaft të afërm të viktimave, të cilët ndonëse nuk pranuan të japin asnjë reagim në lidhje me kërkesën e Prokurorisë, nuk e kanë fshehur faktin se ishin të kënaqur me pretencën e dhënë. Ndërkaq, në sallë kanë munguar të afërm dhe familjarë të Xhevit Malkajt. Askush nuk është parë dje në Gjykatë për të mësuar kërkesën e Prokurorisë për familjarin e tyre. Brikena Luto, avokatja e Malkajt, i kërkoi trupës gjykuese kohë për pretendimet e saj në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, ajo theksoi se Gjykata duhet të marrë parasysh pranimin e kryerjes së veprës penale nga klienti i saj. Në këto kushte, seanca ka zgjatur vetëm disa minuta./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›