E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau kushëririn 6 vjet më parë, gjykata e dërgon në psikiatri

Vendimi

Gjykata e Tiranës ka mbyllur në psikiatri Florian Muçën, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kushëririt dhe plagosjen e prindërve të tij në vitin 2004. Sipas gjykatës, Muça ndodhet në gjende të rëndë psikologjike, ndërsa gjatë gjykimit për këtë çështje ai është dënuar me burgim të përjetshëm dhe pasi pranoi gjykimin e shkurtuar, përfitoi dënimin me 25 vite burg. Gjashtë vjet pas dënimit, avokatët e Muçës pretendonin se Muça është i rrezikshëm për të burgosurit e tjerë.

çështja u gjykua nga gjyqtarja Ariana Bera dhe në vendim thuhet: “Gjykata bëri pranimin e kërkesës si të bazuar në ligj dhe prova. Lejimin e mbajtjes së shtetasit Florian Muça në shërbimin e psikiatrisë së qendrës spitalore universitare ‘Nënë Tereza’ Tiranë, pasi paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën ose shëndetin e tij dhe të të tjerëve. Urdhërohet zbatimi i këtij Vendimi. Një kopje e këtij vendimi t’i dërgohet Repartit të Urgjencës Psikiatrike pranë QSU, ‘Nënë Tereza’, Tiranë. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 ditëve, duke filluar nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi”.

I dënuari gjatë kohës së qëndrimit në burg ka shfaqur shenja të problemeve të theksuara mendore. Ai është vizituar nga mjekët specialistë, të cilët kanë vendosur pa hezitim shtrimin në psikiatri dhe mjekimin e detyrueshëm të tij. Florian Muça, së bashku me Arlind Hysenin, u futën në korrik të 2004-s në shtëpinë e kushëririt Genci Sade. Pasi vranë djalin e ri, ata plagosën prindërit dhe në gjykatë u zhvillua vetëm një seancë, e cila i deklaroi fajtorë dhe i mbylli në burg dy grabitësit, të deklaruar tashmë autorë të vrasjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›