E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontesti për emrin, Kerim: Zgjidhja mes Shkupit e Athinës

Kontesti i emrit mund të zgjidhet vetëm përmes bisedimeve direkte midis Maqedonisë dhe Greqisë. Kështu u shpreh diplomati shumëvjeçar maqedonas dhe ish kryesues i Asamblesë së Përgjithshmë të Kombeve të Bashkuara, Sërgjan Kerim, duke shtuar se në këto bisedime do të përfshihet ndonjë prej fuqive kryesore, që sipas tij, do të jetë dëshmitare në proces.

“Pa këtë unë nuk shoh ndonjë zgjidhje. As Nimici njeri që ka kapacitet, as Shën Nimici, e askush tjetër nuk mund ta zgjidhë këtë çështje nëse nuk bisedohet drejtpërsëdrejti” tha Kerim.

Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Ervvan Fouere, thekson se opinioni maqedonas ka paqartësi rreth këtij procesi, ndaj sipas tij, Qeveria duhet të nxisë debatet rreth kësaj teme.

“Jam i sigurt se nëse ka më shumë diskutime për valën e moskuptimit që gjithsesi ekziston, atëherë padyshim do të kemi vetëdije më të madhe në opinionin publik. është e qartë se akoma ka mosmarëveshje” tha Fouere.

Sipas anketës të shpallur në të përditshmen ‘Dnevnik’, më shumë se gjysma e të anketuarve janë për ndërprerjen e bisedimeve me Greqinë rreth kontestit të emrit, 70% e tyre konsiderojnë se Athina kërkon që të hiqet dorë nga identiteti kombëtar maqedonas, kurse 60% janë të bindur se Maqedonia edhe pa e ndërruar emrin do të bëhet anëtare e NATO-së dhe Bashkimit Evropian.

Frosina Cvetkovska Azhornuar së fundi ( e enjte , 27 maj 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›