Koncesioni i kolaudimeve, prokuroria fillon hetimin

Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar verifikimet për koncesionin e qeverisë për kontrollin teknik të automjeteve, i cili njihet si kolaudimi. Zhvillimi i procedurave për koncesionin është kryer në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar dhe fituese është shpallur një shoqëri zvicerane e quajtur SGS, ndërsa një firmë që është skualifikuar nga gara ka denoncuar abuzimet që pretendon në organin e akuzës. Kallëzimi është regjistruar disa javë më parë në njësinë e përbashkët hetimore kundër krimit ekonomiko-financiar dhe menjëherë kanë filluar verifikimet dhe hetimet për këtë denoncim. Mësohet se hetuesit e çështjes kanë marrë të gjitha dokumentacionet nga Ministria e Transporteve, për t’i krahasuar më pas me pretendimet e firmës që është skualifikuar. “Kallëzimi është regjistruar disa javë më parë dhe gjatë kësaj kohe janë verifikuar të gjitha të dhënat, nga marrja e dokumentacioneve e deri te pyetja e komisionit që i ka vlerësuar këto oferta nga shoqëritë private. Grupi hetimor ende nuk ka dalë me një konkluzion, ndërsa hetimi do të vazhdojë për mbledhjen e provave të reja”, thanë burimet nga akuza qendrore, sipas së cilave në prokurori do të thirren të gjithë personat që kanë vlerësuar ofertat, si dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Transporteve.
HetimiPrej disa javësh, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë vlerësuar ofertat për koncesionin e Kontrollit Teknik të Automjeteve. Në pyetje janë marrë të gjithë zyrtarët që kanë qenë në komision, ndërsa hetimet do të shtrihen në të gjithë Ministrinë e Transporteve. Burimet nga njësia hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thanë se paraprakisht ka disa dyshime për këtë tender, megjithëse ende nuk është përcaktuar nëse janë në formën e veprës penale. Sipas procedurave, nëse kallëzimi regjistrohet në prokurori, atëherë mund të ketë elementë të një vepre penale, pasi në të kundërt drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës mund të urdhëronin mosfillimin e këtij procedimi penal.
TenderiRreth muajit shtator të vitit të kaluar, kompania zvicerane SGS fitoi tenderin për koncesionin e Kontrollit Teknik të Automjeteve. “Marrja nën administrim i këtij shërbimi për 10 vjet nga investitori privat synon përmirësimin e shërbimit për qytetarët, ndërkohë që çmimet nuk do të ndryshojnë”, do të deklaronte Ministria e Transporteve. Ministria e Transporteve njoftoi të gjithë përdoruesit e mjeteve në Shqipëri që shërbimi do të vazhdojë normalisht kundrejt tarifave aktuale. Kontrata e koncesionit parashikon realizimin e një investimi prej 561 milionë lekësh nga kompania SGS. Mësohet se në garë për përfitimin e këtij koncesioni ishte edhe kompania franceze SAS-SAKAR, e cila pas shqyrtimit të detajuar të dokumentacionit ligjor, rezultoi se nuk përmbush kriteret ligjore të përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit për t’u kualifikuar. Pas vlerësimit si fituese e ofertës së kompanisë SGS, Autoriteti Kontraktues e njoftoi zyrtarisht këtë subjekt. Deri tani, kontrolli i detyrueshëm teknik për automjetet është zhvilluar nga Drejtoria e Transportit Rrugor, por me qëllim rritjen e efektshmërisë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, vendosi dhënien me koncesion të këtij shërbimi.
#