E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau policin në Qafë Gjashtë në ‘97, arrestohet në Athinë

Agron Qurku, 38-vjeç, lindur në Sarandë, u arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me një vendim të janarit të vitit 2008, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg“, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, e kryer në bashkëpunim”.

Shtetasi i mësipërm akuzohet se më datë 04.03.1997, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë“, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen e efektivit të policisë së Komisariatit të Sarandës, Gjergj Mehmeti.

Po ashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.22, datë 20.04.2000, e ka dënuar shtetasin Agron Qurku, me 9 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së bankës së kryer në bashkëpunim”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka grabitur një sasi  prej rreth 6.520.000 lekësh në Bankën Kombëtare Tregtare të qytetit Delvinë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, në datë 09.05.2011, u bë i mundur arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-05-11 16:46
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›