E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, 131 vjet burg 10 autorëve

Të akuzuarit për Qafë-Gjashtën, në Gjykatë

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me një total prej 131 vjetësh heqje lirie të akuzuarit për ngjarjen e marsit 1997 në Qafë-Gjashtë, Sarandë, ku u vra e u dogj një polic dhe u mor peng një tjetër.Gjykata shpalli fajtorët  mes 10 të pandehurve, të dyshuar si autorë të vrasjes me dashje në bashkëpunim, ndaj punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti. Gjithashtu ata akuzoheshin për vrasje me dashje në bashkëpunim, mbetur në tentative ndaj punonjësve të tjerë të policisë, Sokol Bizhga, Eduart Alija dhe Myzafer Blushi. Në vendimin përfundimtar, gjykata dha një dënim me 18 vjet burg, pesë me nga 15 vjet, dy me nga 16 vjet, një me 6 vjet dhe njërit pafajësi. Sipas Gjykatës, masën me të rëndë të dënimit e mori i pandehuri Vladimir Sinani, i cili u dënua me 18 vjet burg. Po sipas Gjykatës, pjesëmarrja e të pandehurit Edmond Sejko në veprën e vrasjes ishte e paprovuar. Për këto akuza ai u deklarua i pafajshëm. Ai u dënua vetëm për veprën penale mbajtje pa leje të armëve luftarake me 6 vjet burg. Ndërkohë, togat e zeza të Krimeve i dhanë pafajësi të pandehurit Ristan Lapa. Vendimi i djeshëm i dha fund një shqyrtimi gjyqësor, të nisur në nëntor të vitit 2008 në Gjykatën për Krimet e Rënda. Dosja me 10 të pandehur, të akuzuar për ngjarjen e rëndë të shënuar në 4 mars 1997 në Qafë Gjashtë të Sarandës, u gjykua nga një pesëshe gjyqtarësh, e kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi. Sipas Prokurorisë, ngjarja e njohur si masakra e Qafë Gjashtës u shënua më 4 mars të vitit 1997. Katër punonjës të policisë së Vlorës, Sokol Bizhga, Gjergji Mehmeti, Eduart Alia dhe Myzafer Blushi udhëtuan drejt Sarandës për të rimëkëmbur komisariatin e policisë, të dalë jashtë funksionit. Gjatë kthimit, ata ranë në një pritë të armatosur. Në ngjarje u vra polici Gjergj Mehmeti, të cilit iu dogj më pas kufoma. Ndërsa u mbajt peng e u torturua polici Eduart Alija. Dy policët e tjerë mundën të largoheshin.  ar.ba

Dënimet

Vladimir Sinani
18 vjet
Nestor Sinani
15 vjet burg
Eduard Çipa
15 vjet burg
Alqi Paguni
15 vjet burg
Edmond Sejko
6 vjet burg
Mikel(Flamur, Vladimir)  Kendezi, 15 vjet burg
Arben Kendezi
16 vjet burg
Agron Qurku
16 vjet burg
Aleksandër Bala            15 vjet burg
Ristan Lapa          pafajësi

Greqi, kapet një nga autorët e Qafë-Gjashtës

Agron Qurku

Arrestohet në kryeqytetin grek një prej të shumëkërkuarve për masakrën e Qafë Gjashtës, ngjarje e ndodhur në vitin 1997, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë së Sarandës, Gjergj Mehmeti. Burime nga Policia e Shtetit thanë se është vënë në pranga në Athinë, me qëllim ekstradimi, 38-vjeçari Agron Qurku, i cili u dënua dje në mungesë nga Gjykata për Krime të Rënda me 16 vjet burg. Gjithashtu Qurku është i dënuar edhe me 9 vjet burg nga Gjykata e Sarandës në vitin 2000, për grabitjen e një banke, në bashkëpunim me persona të tjerë, në Sarandë. Agron Qurku ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 20 janar 2008, caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, e kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, Qurku akuzohet se më 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafë Gjashtë, në Sarandë, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri, duke shkaktuar vdekjen e efektivit të policisë së Komisariatit të Sarandës, Gjergj Mehmeti.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›