E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Turqia sjell autopsinë e predhës së Aleks Nikës

TIRANE Autoritetet turke dorëzojnë në Tiranë predhën e vrasjes së Aleks Nikës, njërit prej viktimave të demonstratës së 21 janarit. Po kështu, në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë ka mbërritur edhe akti i autopsisë që shpjegon se vdekja e 36-vjeçarit nga Lezha ka ndodhur si pasojë e një plage me armë zjarri. Ditën e djeshme, Prokuroria ka dërguar për ekspertizë në Laboratorin Qendror Kriminalistik predhën që është gjetur në trupin e Aleks Nikës. Demonstruesi nga Lezha është qëlluar me armë pas mesditës së 21 janarit, ndërsa ndodhej përballë Kryeministrisë, pranë zyrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Aleks Nika gjeti vdekjen në një spital në Turqi, rreth dy javë pas tragjedisë së 21 janarit. Ai u dërgua në Turqi për të marrë mjekime, pasi për rreth një javë gjendja e tij në Spitalin Ushtarak nuk u stabilizua. Si pasojë e qëndrimit në gjendje kome të 36-vjeçarit, mjekët rekomanduan dërgimin e tij në Turqi, por një javë pasi mbërriti atje, Aleks Nika gjeti vdekjen. Mjekët turq njoftuan policinë për këtë vdekje në spital dhe menjëherë organet e rendit atje hapën hetimet, duke sekuestruar predhën dhe dokumentet mjekësore. Prokuroria shqiptare, e cila po zhvillon hetime për vrasjen e katër shtetasve më 21 janar, i kërkoi palës turke dërgimin e predhës për nevoja të ekspertimit të saj me armët e Gardës së Republikës. Aleks Nika ishte personi i katërt i cili u qëllua me armë më 21 janar, duke gjetur vdekjen më pas. Atë ditë u vranë edhe tre persona të tjerë, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. Nga katër viktimat, deri tani është arritur të konfirmohet se Ziver vaizi është vrarë nga Garda e Republikës (predhë e qitur nga arma e Agim Llupos), ndërkohë predha e Faik Myrtajt nuk është identifikuar cilës armë i përket, ndërsa pritet tashmë ekspertiza e Aleks Nikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›