Vrau rojën e magazinës, 17-vjeçari kërkon mëshirë

Betim Berberi
KORÇE Kërkojnë mëshirë të akuzuarit për vrasjen e pronarit të një magazine, ngjarje e ndodhur në fshatin Pojan të Korçës, një vit më parë. Pas kërkesës së prokurorit të çështjes, i cili kërkoi burg të përjetshëm për Blerim Berberin dhe Nerton Felajn, si dhe dënim 9 vjet për 17-vjeçarin, M.Ropi, dje ishte radha e mbrojtjes. Avokati i adoleshentin nuk ishte përgatitur për të mbrojtur klientin e tij, çka solli shtyrjen e vendimit. Po dje u pyetën për herë të fundit edhe tre të pandehurit para dhënies së vendimit. Në këtë seancë, 17-vjeçari pranoi se e vrau ai 73-vjeçarin Nexhat Gega. Qëllova mbi rojën e magazinës, sepse ai ndezi dritën kur unë hyrë brenda dhe më njohu, pohoi ai, duke kërkuar mëshirë nga trupi gjykues. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë përpjekur të lehtësojnë dënimin e tyre, që sipas Prokurorisë kërkohet me burgim të përjetshëm. Ata u shprehen se qëndruan jashtë magazinës, ndërsa vrasjen e të moshuarit e kreu minoreni Ropi. Por, prokurori i çështjes, duke iu referuar hetimeve, tha se dy të pandehurit në moshë më të madhe kanë shfrytëzuar adoleshentin për kryerjen e krimit, nisur dhe nga mosha e tij. Në seancën paraardhëse, prokurori i kësaj çështjeje kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për dy të pandehurit Blerim Berberi dhe Nerton Felaj. Për 17-vjeçarin M.Ropi, ndonëse akuzohet si autori kryesor i vrasjes së rojës së magazinës, për shkak të moshës së tij, por edhe bashkëpunimit që ka treguar në zbardhjen jo vetëm të kësaj ngjarjeje, por edhe të krimeve të tjera të kryera në zonën e Pojanit, është kërkuar nga prokurori dënimi me 9 vjet heqje lirie. Ky i fundit është lehtësuar sepse gjatë hetimeve ka bashkëpunuar për të dhënë dëshmi që Prokuroria i ka hedhur në dosjen e saj lidhur edhe me krime të tjera të të rinjve, Blerim Berberi dhe Nerton Felaj. Ai ka dëshmuar gjatë hetimeve se së bashku me dy të rinjtë e tjerë kanë marrë pjesë edhe në krime të tjera, grabitje me armë dhe maska, plagosje në prita në Qafën e Zvezdës, vjedhje me armë, vjedhje dyqanesh dhe lokalesh dhe deri ngjarjen e fundit kur u kapën, atë të vrasjes së bashkëfshatarit të tyre në magazinë. g.a