Del autopsia: Këngëtarja Emmy vdiq nga goditja në kokë
Elsina Hidershaj ka gjetur vdekjen si pasojë e një goditjeje në kokë. Goditja gjysmë-anësore ka shkaktuar kontuzion në tru dhe gjendje kome me pasojë dëmtime të parikuperueshme.Kjo është me pak fjalë akt-autopsia e dërguar në Prokurorinë e Tiranës nga Mjekësia Ligjore në lidhje me vdekjen e këngëtares Emmy. Ndonëse e vonuar për shkak të verifikimeve komplekse që janë kryer dhe analizave të thelluara nga Mjekësia Ligjore, autopsia mbi vdekjen e këngëtares Elsina Hidershaj ka mbërritur tashmë në Prokurorinë e Tiranës. Akti shkencor mbi shkaqet e vdekjes është administruar në dosje, ndërsa ka zbardhur edhe një pjesë të mekanizmit të ngjarjes që i mori jetën këngëtares së njohur me emrin e artit Emmy. Ajo gjeti vdekjen më 27 shkurt të këtij viti, pas mesnate, në rrugën që del nga parkingu i pub Venue në Tiranë. Biznesmeni nga Kosova, nënshtetas suedez, është arrestuar dhe mbahet në paraburgim në Tiranë si person nën hetim për vdekjen e këngëtares Emmy, e cila humbi jetën 48 orë pas ngjarjes, pa mundur të dalë nga gjendja e komas. Prokuroria kërkoi realizimin e autopsisë mbi shkaqet e vdekjes për të bërë më pas edhe kualifikimin e akuzës, e cila deri tani është vrasje me dashje, ndaj biznesmenit të dyshuar. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se dosja është drejt përfundimit të hetimeve. Sipas tyre, autopsia e ardhur nga Mjekësia Ligjore përmban përshkrime për verifikime të hollësishme të mjekëve në gjithë organizmin e 21-vjeçares. Me përjashtim të kokës, ku vërehet goditje e fortë me pasojë konfuzion të trurit, nuk janë vërejtur dëmtime të tjera, mësohet të jenë shprehur mjekët ligjorë në autopsinë e tyre. Nga ana tjetër, Prokuroria mësohet se ka bërë edhe këqyrje të automjetit Wolksvagen Tuareg, në të cilin ndodhej biznesmeni Aziz Kelmendi në momentin kur Emmy u rrëzua në asfalt dhe gjeti vdekjen. Prokuroria tha se ka verifikuar automjetin për shenja të mundshme goditjesh apo përplasjesh, për të parë nëse ka pasur goditje aktive e të qëllimshme ndaj këngëtares 21-vjeçare. Ajo ka pasur një lidhje intime me biznesmenin nga Kosova, të cilin pas mesnatës së 27 shkurtit 2011 e ka parë në shoqërinë e një femre tjetër te pub Venue. Ndërsa biznesmeni po largohej pasi kishte dalë nga lokali dhe hipur në makinë, Elsina Hidershaj e ka ndjekur nga pas dhe është afruar tek automjeti duke vënë duart në xhamin gjysmë të hapur të shoferit. Aty më pas ka ndodhur ngjarja, pas disa minutash grindje mes këngëtares dhe biznesmenit, Emmy është shembur përtokë duke rënë pa ndjenja, ndërsa ka gjetur vdekjen më pas në spital.
Deshmia
Gjatë seancës për masën e sigurisë në Gjykatën e Tiranës, biznesmeni Aziz Kelmendi deklaroi se ka pasur një lidhje intime me këngëtaren e njohur me emrin Emmy. Kelmendi deklaroi në gjyq se lidhja mes tij dhe këngëtares në kohën kur ndodhi ngjarja ka qenë drejt fundit. I hetuari në lidhje me ngjarjen, ku gjeti vdekjen këngëtarja Elsina Hidershaj, ka këmbëngulur në gjykatë se ngjarja ka qenë aksidentale, duke pohuar se pas sherrit verbal me Emmyn, jashtë ambienteve të pub Venue, ai ka dashur të largohej dhe të shmangte konfliktin. Megjithatë, deri tani prokuroria e ka hetuar biznesmeni për akuzën vrasje me dashje.
Rekursi në Gjykatë
Biznesmeni kosovar, Azis Kelmendi, i arrestuar për ngjarjen ku mbeti e vdekur këngëtarja Elsina Hidersha, ka bërë një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij në Gjykatën e Lartë. Dy muaj më parë, Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit vendosën masën e sigurisë arrest me burg ndaj biznesmenit, por me anë të mbrojtjes së tij ligjore ai ka kërkuar ndryshimin e kësaj mase në Gjykatën e Lartë. Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë së personit në hetim Azis Kelmendi, është depozituar në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë. Biznesmeni kundërshton dy vendimet e shkallëve më të ulëta të Gjyqësorit, që e kanë lënë atë në masën e sigurisë arrest me burg.
TRAZHGIM SOKOLAJ