Vreshtarët marrin pjesën e dytë të pagesës
Ndonëse me vonesë, marrëveshja e arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shoqatës së Vreshtarëve “Vreshtari” është implementuar në tërësi nga Ministria e Bujqësisë, pasi që javën e kaluar u ekzekutua edhe pjesa e dytë e pagesave për vreshtarët dhe vlera e përgjithshme e pagesave direkte është 1.401,767 euro.
Kjo marrëveshje është dashur të realizohet gjatë tremujorit të parë të 2011-së, mirëpo arsyeja për vonesën e deritanishme është mosmiratimi i buxhetit deri në fund të muajit mars, thuhet në njoftim të MBPZH-së.
Në kuadër të masave mbështetëse, kjo ministri zotohet se do të vazhdojë të mbështesë sektorin e vreshtarisë edhe gjatë këtij viti.
Vreshtarët e Rahovecit vitin e kaluar kishin bërë disa protesta masive për kushtet e punës. Ata kanë manifestuar veçanërisht kundër kompanisë “Stone Castle”, selia e së cilës është goditur me gurë dhe objekte të tjera.
Ndërkohë, vreshtarët dhe Qeveria e Kosovës patën arritur marrëveshje për të ndihmuar vreshtarët, të cilët ankohen se janë të detyruar të gjuajnë rrushin për shkak të tregut të pavolitshëm.