Fitou: Rruga drejt BE-së është e gjatë

Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE-së), nëse ajo dëshiron një gjë të tillë, ka thënë ambasadori francez në Kosovë, Jean Fraçois Fitou, në një ligjëratë për BE-në para nxënësve të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.
Në këtë kontekst ka pasur shumë pyetje prej nxënësve mitrovicas, të cilët janë interesuar për periudhën kohore, për çka nuk kanë marrë përgjigje të prerë.
Ambasadori francez vetëm ka theksuar se dera e BE-së është e hapur, por e pranoi se rruga për anëtarësim në familjen e madhe evropiane është e gjatë.
“BE-ja ka hapur dyert për të gjitha shtetet e Ballkanit prej vitit 2003.
Megjithatë rruga është e gjatë. Nuk është dhunti, por mundësi”, tha ai.
Duke vazhduar të sqarojë më tepër për rrethanat kosovare, ai tha se vlera universale të BE-së janë paqja, drejtësia dhe vizioni. Sipas tij, në Kosovë ekziston nevoja për të harruar urrejtjen dhe larguar frikën nga njëri-tjetri.
Nxënësit e gjimnazit në Mitrovicë, pasi kanë dëgjuar ligjëratën e ambasadorit, janë interesuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ata janë shprehur se Kosova është dëmtuar meqë është vendi i vetëm në Evropë që është përjashtuar nga kjo mundësi.
Në anën tjetër, ambasadori francez ka thënë se asnjë shteti nuk i është dhuruar liberalizimi i vizave. Sipas tij, të gjitha shtetet që janë përfshirë në liberalizimin e vizave kanë plotësuar kritere dhe kushte të BE-së që kanë të bëjnë me legjislacionin, administratën, dokumentet e udhëtimit etj.
Nxënësit mitrovicas janë interesuar edhe për qasjen e BE-së dhe Francës për veriun. Për këtë ambasadori francez theksoi se Franca e ka njohur Kosovën në kufijtë e saj. Për ta bërë edhe më të qartë këtë, Jean Fraçois Fitou shtoi se Kosova është njohur në kufijtë e asaj harte që nxënësit e njohin Kosovën. /kosovapress/