Vret gruan në sy të fëmijëve, më pas vetëvritet

Krimi brenda familjes ka shënuar viktimat e radhës në rrethin e Hasit, duke e shtuar frikshëm bilancin në shkallë vendi. Vetëm brenda javës së fundit janë shënuar 5 raste të vrasjeve brenda familjes. Ngjarja më e fundit është shënuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Branogë të Komunës Fajza, 20 km larg qendrës së komunës, ku 33-vjeçari Gëzim Muslika, në gjendje të thellë depresioni, ka vrarë me armë zjarri gruan e tij Pranverën, 30 vjeçe. Burri e ka kryer krimin në sy të tre fëmijëve të mitur, ku më i vogli është ende foshnjë. Pas disa orësh i ngujuar me fëmijët dhe kufomën e gruas, ai ka vrarë veten mëngjesin e së mërkurës.
NgjarjaHistoria ka nisur mbrëmjen e së martës, rreth orës 21.30, kur në familjen Muslika ka nisur grindja mes bashkëshortëve. Kohët e fundit çifti debatonte shpesh, pasi bashkëshorti i papunë konsumonte alkool dhe kishte nisur të shfaqte shenja depresive. Në debat e sipër ai ka rrëmbyer armën dhe ka qëlluar mbi gruan e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai është mbyllur në shtëpi bashkë me fëmijët, të cilët i ka liruar vetëm pas 7 orësh negociatash të policisë dhe rreth orës 05.00 të mëngjesit të djeshëm ka vrarë veten.
PoliciaBurime zyrtare të Policisë së Qarkut të Kukësit tregojnë se menjëherë pas njoftimit, efektivë të shumtë të Policisë së Hasit dhe Kukësit, përfshi edhe vetë drejtorin e policisë së qarkut, Sadri Ramçaj, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë tentuar të vënë situatën nën kontroll. Burime nga policia kanë pohuar se burri vrasës kishte kërcënuar se mund vriste edhe fëmijët, për këtë shkak kanë nisur negociatat nga ana e policisë që vrasësi të linte të lirë fëmijët. Burimi në fjalë ka pohuar gjithashtu se krimi i rëndë ka ndodhur në sy të tre fëmijëve të mitur, ku më i madhi është vetëm 7 vjeç.
“Menjëherë pasi dolën fëmijët të tmerruar nga dera e shtëpisë, nuk na dha kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë dhe kemi dëgjuar një të shtënë”, tha një efektiv i lartë i policisë, duke shtuar se kur ata kanë hyrë brenda kanë parë 33-vjeçarin që jepte shpirt përbri bashkëshortes, ndërsa dyshemeja ishte e mbushur me gjak. Vetëvrasja e Muslikës është bërë rreth orës 05.00 të mëngjesit të së martës. Pas lënies së lirë të tre fëmijëve, ai ka mbyllur derën nga brenda dhe ndërsa policia tentonte ta thyente, Muslika ka vrarë veten me një plumb në kokë. Për ngjarjen e rëndë që ka tronditur Hasin dhe më gjerë, janë kryer veprimet procedurale, si dhe bllokimi i pistoletës së krimit si provë materiale bashkë me disa gëzhoja dhe një krehër me disa fishekë. Përveç armës së krimit, pistoletë TT që Muslika e ka mbajtur pa leje, i ati i autorit, Sadiku, i ka dorëzuar policisë edhe një armë tjetër automatike, të cilën Muslika e kishte mbajtur gjithashtu pa leje në banesë.
#