Vret vajzën e dajës sepse kërkoi të ndaheshin
“Kisha dy vjet i lidhur me të dhe e doja shumë por ajo kohët e fundit donte që të ndaheshim”
GRAMSH- Një lidhje e tmerrshme incesti ka përfunduar në mënyrën më tragjike të mundshme paraditen e djeshme në qytetin e Gramshit. Vajza 20- vjeçare është vrarë me një breshëri automatiku nga djali i hallës sepse kërkoi t’i jepte fund lidhjes. Greta Xhaferri 20 vjeç, me banim në lagjen 18 Gushti është gjetur në një lumë gjaku nga fqinjët e saj, të cilët më pas kanë lajmëruar policinë. Ndërkohë, autori i krimit, Ilirian Koçi me banim në fshatin Vijë të rrethit të Gramshit ka braktisur armën dhe është larguar në drejtim të lumit Devoll ku është kapur disa minuta më vonë nga policia. Mësohet se autori kishte braktisur automatikun për tu larguar në drejtim të shtratit të lumit Devoll. Rreth 30 minuta më vonë, efektivat blu kanë vënë në pranga 27 vjeçarin, i cili po tentonte të ndiqte rrjedhën e lumit për tu larguar. Mësohet se Ilirian Koçi ishte nisur me armë nga fshati Vijë ku edhe banonte me qëllimin që ta vriste vajzën e dajës e cila jetonte me prindërit e saj në qytetin e Gramshit. Pasi i ka telefonuar për t’i kërkuar edhe një herë të kthehej me të, i riu ka mësuar edhe se ajo ndodhej vetë, në shtëpi. Kur ka parë se nuk kishte asnjë mundësi për tu rikthyer në këtë histori dashurie të ndaluar, i riu nuk ka pritur më por ka nxjerrë armën nga çanta duke qëlluar mbi kushërirën.
Hetimi
Policia nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër veç të konstatojë krimin dhe të arrestojë në flagrancë autorin. Drejt qytetit të Gramshit është nisur vetë drejtori i policisë së Elbasanit, Arben Hyseni. Ky i fundit ka marrë pjesë në të gjitha procedurat e hetimit për të përcaktuar shkaqet që sollën krimin në këtë qytet që konsiderohet i qetë për efektivat blu. Grupi i ekspertëve i ngritur për këtë ngjarje ka bërë ekspertimin e trupit të pajetë të vajzës. Mësohet se mbi trupin e saj autori i krimit ka shkrehur të gjithë karikatorin e kallashnikovit duke mos i dhënë asnjë mundësi të jetojë. Po kështu janë bllokuar në cilësinë e provës materiale arma dhe gëzhojat. Vrasja e 20- vjeçares ka tronditur mjaft jo vetëm familjarët dhe të afërmit por të gjithë banorët e Gramshit. Për shkak se krime të kësaj natyre regjistrohen shumë rrallë, i gjithë qyteti është bashkuar në këtë tragjedi që mban me vete peshën e rëndë të incestit.
Historia
Gjithçka kishte filluar rreth dy vjet më parë kur midis dy kushërinjve kishte lindur një ndjenjë që do të vazhdohej nga një lidhje intime. Edhe pse askush nuk do ta kishte besuar as nga familjarët dhe as nga të afërmit e dy familjeve, mes Gretës dhe Ilirianit ekzistonte një lidhje dashurie edhe pse ata të dy ishin kushërinj të parë. Sipas burimeve nga hetimet, ditët e fundit vajza kishte vendosur t’i jepte fund dhe grindjet midis dy të rinjve vazhdonin prej javësh. Të gjitha detajet Iliriani i ka rrëfyer në dëshminë e tij par hetuesve. “Kisha dy vjet i lidhur me të dhe e doja shumë por ajo kohët e fundit ishte tërhequr. Rreth dy javë më parë më tha se nuk më donte më dhe gjithçka midis nesh duhet të merrte fund. Nuk mund ta pranoja këtë gjë por Greta nuk më fliste dhe më evitonte. I kam kërkuar disa herë shpjegime por grindjet mes nesh ishin të vazhdueshme. Sot vendosa që të mos e lejoj të tallet me mua. Mora armën që e mbaja në shtëpi dhe erdha këtu në qytet. I dhashë edhe një mundësi. I kërkova sërish që të kthehet me mua por ajo më tha se nuk më donte më. Atëherë mu errën sytë mora automatikun dhe e qëllova. Unë besoj në zot pasi falem dhe shkoj në xhami. Kam bërë një krim por nuk durova më”,- ka rrëfyer në polici vrasësi. Të gjithë janë çuditur me rrëfimin e 28- vjeçarit i cili nuk shfaqte shenja të dukshme të çekuilibrit mendor. Pasi është marrë në pyetje 27- vjeçari që veç krimit të vrasjes do të përçmohet edhe për marrëdhënien e incestit është transportuar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë në Elbasan. Ilirina Koçi do të përballet me krimin e vrasjes me paramendim.