Kërpi i Shkrelit, lirohet Martin Pllumbi
SHKODËR- Është lënë i lirë nga gjykata e apelit në Shkodër, kryetari i shoqatës së fermerëve të Shkrelit Martin Pllumbi, i ndaluar më 21 korrik për çështjen e shumëpërfolur të kërpit. Në gjykatën e apelit në Shkodër është zhvilluar seanca gjyqësore e kërkuar nga avokatët mbrojtës së Pllumbit dhe prokurori Brahim Dragjoshi ka kërkuar të lihet në fuqi vendimi i gjykatës së rrethit. Sipas përfaqësuesit të akuzës, pretendimet e avokatëve lidhen me themelin e çështjes dhe jo me masën e sigurisë. Provat e sjella nga prokuroria kanë qenë një varg proces- verbalesh për rezultatet e analizave të bërë lëndës bimore, e cila më 23.12.2005 u gjend në banesën e Martin Pllumbit dhe të Lec Brrakës në Shkrel. Sipas akuzës, sasia rreth 1 ton lëndë bimore dhe 1.5 kg fare bime ka rezultuar me përqindje të THC mbi kufijtë e lejueshëm dhe kështu që klasifikohet në kanabis sativa. Por mbrojtja ka paraqitur të njëjtat analiza, të bëra në Itali, ku tregohet se bima nuk ka përqindjen e duhur të THC-së. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, Gjykata e Apelit ka vërejtur mangësi në aktet e ekspertizave toksikologjike të paraqitura nga akuza, ku vetëm theksohet se përqindja e THC në mostrat e analizuara e klasifikon bimën në kanabis sativa por pa treguar se cila është kjo përqindje. Në fund të seancës gjykata i ka ridhënë atij lirinë. Lirimi i Martin Pllumbit nga salla e gjyqit, është pritur me entuziazëm nga familjarët e tij dhe fermerët të Shkrelit që kultivojnë kërp industrial. Alfred Pllumbi, i afërmi i të akuzuarit ka deklaruar se drejtësia u vu në vend dhe se ato që sajojnë të tilla akuza të paqena do të mbajnë përgjegjësi. Ai ka shtuar se kërpi industrial do të vazhdojë të kultivohet në Shkrel dhe tashmë do të jetë vetë partneri i saj anglez që do merret drejtpërdrejtë me këtë aktivitet.