Vret veten polici i burgut, pas divorcit me gruan
Guxim Gjeçaj ka qëlluar veten me armën e shërbimit. Letra, "Më vjen keq për djalin që s'mund të kujdesem"
TIRANË- Vetëvritet polici i burgjeve, për shkak të procesit të divorcit me gruan, ndërsa në një letër sqaroi motivet e vetëflijimit. Guxim Gjeçaj, 35 vjeç, banues në rrugën "Jordan Misja", në kryeqytet, u gjet i vdekur dje pasdite në banesën e tij në kryeqytet.
Sipas burimeve të policisë efektivi i policisë së burgjeve ishte vetëvrarë me armë zjarri, e cila ishte personale e tij e punës. "Më vjen keq për djalin, që s'mund të kujdesem për të deri sa të rritet". Këto kanë qenë fjalët që polici i burgut të Shën Kollit në Lezhë, kishte lënë shënim para se t'i jepte fund jetës.
Efektivi 35- vjeçar me banim në kryeqytet ka qëlluar ndaj vetes së tij me një plumb pistolete në kokë, nga ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Aktin e vetëvrasjes, efektivi i policisë së burgjeve e ka kryer dje rreth darkës, në banesën e tij që ndodhet pranë Burgut 313 në Tiranë.
Sipas të dhënave mësohet se viktima para se të kryente aktin e vetëvrasjes ka shkruar një letër ku tregonte arsyet e veprimit të tij. Mësohet se polici i burgut, vendimin e tij për t'i dhënë fund jetës e ka marrë pas disa problemeve familjare dhe pas nisjes së procedurave për divorc me gruan, ndërsa në shënimin e tij të fundit, 35- vjeçari ka shkruar se për të vetmin që i vinte keq për këtë veprim, ishte djali i tij.
Gjeçaj e ka kryer vetëvrasjen brenda në banesën e tij dhe të parët që e kanë parë pajetë kanë qenë familjarët, të cilët menjëherë kanë lajmëruar policinë. Policia ka sekuestruar letrën që viktima kishte lënë para se të vritej me një plumb në kokë me armën e tij të punës.
Do të jetë pikërisht përmbajtja e saj që do të ndihmojë hetuesit në nxjerrjen e shkaqeve të vërteta të veprimit të 35- vjeçarit. Policia pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka marrë në pyetje të afërmit e viktimës, të cilët kanë rrëfyer për gjendjen psikologjike që polici i burgut ka patur gjatë ditëve të fundit. Uniformat blu do të vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkaqet që e çuan 35- vjeçarin t'i jepte fund jetës.