Zgjedhjet shqiptare kushtuan 1 miliard dollarë
Zërat kryesorë të shpenzimeve janë rruga Durrës- Kukës dhe sponsorizimet që janë bërë për partitë e ndryshme
TIRANË- Vetëm brenda një afati kohor prej rreth dy muajsh për efekt të fushatës elektorale në ekonominë shqiptare janë injektuar rreth 950 milionë dollarë.
Në to përfshihen, kredia prej 496 milionë dollarë që qeveria shqiptare mori para disa muajsh në tregun jashtëm, e cila sipas studimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, rezulton që në pjesën më të madhe saj të jetë përdorur në funksion të rrugës Durrës-Kukës.
Kësaj të fundit i shtohet edhe shuma prej rreth 180 milionë eurosh që, mendohet të jetë shpenzuar në funksion të fushatës elektorale që sapo kaluam.
Po ashtu, kujtojmë se në fund të muajit maj nga buxheti i shtetit u çel një fond prej 60 milionë lekësh i cili iu shpërnda secilës parti politike në funksion të fushatës, në proporcion të numrit të votave të marra nga zgjedhjet e vitit 2005 dhe numrit të deputetëve në parlament.
Për tu theksuar është edhe shuma rreth 37 miliardë lekë që janë shpenzuar për investime publike gjatë pesë mujorit të parë të këtij viti.
Po të shtojmë edhe shumat që çdo parti politike përfiton nga sponsorët e fushatave te tyre elektorale, të cilat asnjëherë nuk janë bërë publike, sasia e parave të injektuara në tregun vendas në një periudhë kohore prej dy muajsh kap shifra marramendëse.
Për sa i përket kredisë prej 496 milionë dollarësh marrë disa muaj më parë nga qeveria, ish-Guvernatori Cani shprehet se, një pjesë e mirë e këtyre parave nuk ndodhen tashmë në tregun vendas duke bërë që huaja e marrë me qëllim rritjen e likuiditetit të ketë ndikim të pjesshëm.
Referuar një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai shprehet se rreth 80 për qind e parave të marra hua në valutë në tregun ndërkombëtar iu janë paguar kompanive që janë duke ndërtuar rrugën Durrës-Kukës, të cilat përsëri i kanë nxjerrë nga tregu ynë.
Ndërsa, një vrull shpenzimesh i tillë sipas ish-ministrit të Ekonomisë Zef Preçi, pavarësisht ndikimeve në muajt e mëvonshëm bëhet shkak për një frenim të zhvlerësimit të monedhës vendase.