E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku i Fierit dhe Beratit, PS depoziton ankimimin

Të gjithë kandidatët socialistë për deputetë kanë paraqitur dje para juristëve të kësaj force politike të gjitha provat, që disponojnë për manipulimin e zgjedhjeve


TIRANË- Partia Socialistë është e vendosur që të kërkojë deri në fund jo vetëm nëpërmjet deklaratave politike, por edhe nëpërmjet rrugës institucionale ligjore mandatin e saj të nëntë në qarkun e Fierit.


Duke e konsideruar atë një shprehje e verdiktit të popullit të këtij qarku, dhe një të drejtë të mohuar padrejtësisht nga kundërshtarët e tyre demokrat, socialistët kanë bërë dje konform të gjitha procedurave ligjore, kërkesën e tyre ankimore për rishikimin e rezultateve të miratuara prej KQZ-së për këtë qark.


Në këtë funksion dje në mbrëmje përfaqësuesit ligjorë të selisë rozë në institucionin më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, kanë depozituar ankimimin e tyre me anë të të cilit kundërshtojnë vendimin e datës 7 të KQZ-së për nxjerrjen e rezultateve për 6 ZAZ-të e zonës zgjedhore të qarkut Fier.


Më tej, ata në shkresë-ankesën e tyre, shprehen për përfshirjen nga ana e KQZ-së, në tabelat e rezultateve, të dhënat e dala nga numërimi i dy kutive të votimit të cilat janë numëruar prej KZAZ-ve përkatëse në Fier.


Gjithashtu, një pikë e tretë e kësaj kërkese ka të bëjë edhe me 7 kutitë e tjera të votimit të cilat nuk janë hapur më parë prej KZAZ-ve dhe që prej ditësh qëndrojnë të bllokuara në KQZ në pritje të një vendimmarrje të këtij institucioni. Edhe në këtë rast, PS kërkon që rezultati që do të dalë nga numërimi i tyre të përfshihet në tabelën përmbledhëse të rezultateve për të gjithë qarkun.


Tashmë pritet vendimmarrja e KQZ-së, e cila ka për detyrim që brenda ditës së sotme të hap procedurat për shqyrtimin e kësaj kërkese, duke përcaktuar relatorin dhe pas 24 orëve ta shqyrtojë atë në themel.


Ndryshe nga kërkesat e forcave të tjera të vogla që nuk kanë qenë të pakta, kjo kërkesë merr një rëndësi të madhe për shkak të ngarkesës politike që i është dhënë këtij rasti. Socialistët pretendojnë se në mënyrë të qëllimshme KZAZ-të dhe më pas KQZ-ja nuk ka pranuar të hapë kutitë e bllokuara, të cilat duket se mbajnë brenda tyre dhe fatin e mandatit të fundit të deputetit për këtë qark.


Është fakt tashmë se PS-së i duhen në të gjithë këto 9 kuti që të sigurojë një avantazh kundrejt PD-së prej 37 votash, për ti marrë asaj mandatin e fundit dhe për të arritur kuotën e përfaqësimit në nëntë mandate në këtë zonë.


Në rast se KQZ-ja e cila përbëhet në shumicën e saj nga anëtarët e djathtë, do ta rrëzojë këtë kërkesë atëherë selisë rozë i mbetet që të kërkojë të drejtën e saj të mohuar në Kolegjin Zgjedhor.


Partia Socialiste ka hartuar dhe pritet që të dorëzojë sot në KQZ dhe animimin tjetër për të goditur vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultateve të qarkut të Beratit. Në këtë shkresë-ankesë ata i kërkojnë KQZ-së që të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat në katër KZAZ-të e Qarkut të Beratit.


Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, në selinë rozë sipas porosisë së marrë në një mbledhje të një dite më parë, të gjithë kandidatët socialistë për deputetë kanë paraqitur para juristëve të kësaj force të gjitha provat që disponojnë për të përgatitur më pas dhe ankesat përkatëse sipas rastit. Kështu, mësohet se ankesë do të ketë edhe për tabelat e rezultateve të qarkut të Shkodrës dhe atë të Tiranës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›