E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu dorëzon çelësat

Fatmir Mediu

Ministri i mbrojtjes dha doreheqjen dje i vene me shpatulla per muri nga presioni i jashtezakonshem i opinionit publik per pergjegjesine e ngjarjes tragjike te Gerdecit

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen. Me nje ze te prere, me emocione qe dukeshin qarte se nuk mund t'i fshihte, zoti Mediu tha se kishte kaluar 72 oret me te veshtira te jetes se tij. Ai kembenguli se ishte teresisht i zhveshur nga ndonje pergjegjesi, porse po largohej per arsye morale. Vendimi erdhi, sipas deklaratës së vetë Mediut, pas tragjedisë së Gërdecit, ku tri ditë më parë shpërtheu një e ashtuquajtur fabrikë çmontimi armatimesh. “Në kushtet e krijuara në pozicionin tim strategjik, kam qenë koshient për detyrimet e mia, për atë çfarë ka ndodhur. Nga përgjegjësitë personale i kam paraqitur kryeministrit dorëheqjen time nga posti i ministrit të Mbrojtjes”, ka deklaruar ministri i dorëhequr i Mbrojtjes. “I dërrmuar nga dhembja për atë që ka ndodhur, i trishtuar nga humbja e jetëve të pafajshme dhe me një solidaritet të plotë me ata që kanë humbur të afërmit dhe ata që ende ndodhen në kushte të rënda në spital, gjej këtë rast t’iu shpreh të gjithëve atyre që janë prekur nga kjo tragjedi solidaritetin tim”, ka deklaruar Mediu. Ai nënvizoi se vendimi për largimin nga kabineti qeveritar është marrë në kushte të një mungese të plotë të përgjegjësisë ligjore dhe institucionale në pozicionin e tij si ministër i Mbrojtjes. Mediu në argumentimin e aktit të dorëzimit të detyrës së tij ministrore, tha se erdhi si pasojë e kushteve të krijuara si një politikan i përgjegjshëm, edhe pse i zhveshur nga çdo përgjegjësi personale. Mediu, njëherësh kryetar i Partisë Republikane, aleate me Partinë Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës, tha se do të mbështesë të gjithë hetimet e filluara nga organet e prokurorisë, për zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Me ndjenjë përgjegjësie dhe në respekt të detyrimeve të mia institucionale dhe morale, deklaroj se do të mbështes fort hetimet e filluara nga organet kompetente për zbardhjen e aksidentit tragjik”, tha ai, duke shtuar se do të mbështesë hetimet e organeve kompetente dhe do të pranojë çdo gjë që ka të bëjë me përgjegjësitë e tij. Gjatë deklaratës së tij, ministri i dorëhequr ka falënderuar gjithë ata që e kanë mbështetur në kryerjen e detyrës së tij. Një falënderim të veçantë Mediu ia dedikoi kryeministrit Sali Berisha, i cili në çdo moment ka qenë në krye të operacionit. Referuar gjendjes së shumicës parlamentare, Mediu tha se shumë më e rëndësishme është qeverisja e vendit, sesa emri i tij i përveçëm. Ai falënderoi edhe opozitën për qëndrimin e saj mbështetës gjatë gjithë kohës kur ai vetë ka drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, duke shtuar se e mirëkupton qëndrimin e opozitës në lidhje me reagimin e tyre në situatën e krijuar. Ai ka thënë se u kërkon banorëve të rajonit të dëmtuar nga shpërthimi ta konsiderojnë si një mik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›