Vriten dy femra: Ekzekutohet laborantja, Megi qëllohet gabimisht
Tirane/ Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve, është vrarë në pritë me tre plumba mbrëmë në Shkozë. Vdes në spital edhe Megi Jokiçi
Vajza 24-vjeçare është goditur gabimisht mbrëmë në 21:30 te Komuna e Parisit, teksa po hynte në një lokal me të fejuarin. Shuhet pas 3 orësh operacion në Spitalin Ushtarak. Plagoset objektivi i atentatit, Aleksandër Gocaj. Pak orë më parë, në Shkozë, u qëllua për vdekje me tre plumba në kraharor 35-vjeçarja, laborante dentare.
Krimi i rëndë në Shkozë, policia heton për xhelozi, përjashtohet pista e vrasjes për shkak të grabitjes
Eleni Basho qëllohet me tre plumba pranë shtëpisë, ikën autori
Një laborante dentare në moshën 35-vjeçare u vra mbrëmë me tre plumba pranë banesës së saj në Shkozë të Tiranës për shkaqe të paqarta. Nëna e dy fëmijëve u gjet e vdekur në rrugë, rreth 50 metra larg shtëpisë ku banonte, ndërsa autori i krimit ka arritur të largohet. Rreth orës 18:50, në afërsi të fshatit Shkozë në Tiranë, viktima Eleni Basho, sapo kishte dalë nga shtëpia kur u përball me vrasësin. Në një zonë të pandriçuar, në mes të rrugës, ngjitur me një shtëpi përdhese, ajo u qëllua për vdekje me armë zjarri. Banorët e shtëpisë pranë së cilës ndodhi krimi kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë, sapo kanë parë trupin e gruas të shtrirë në pellgun me ujë të krijuar nga shiu. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat e Komisariatit Nr. 1, si dhe oficerë të krimeve kundër jetës dhe shëndetit. Policia ka transportuar fillimisht trupin e 35-vjeçares në urgjencën e spitalit Nënë Tereza, por mjekët kanë konstatuar se ajo kishte ndërruar jetë prej disa minutash. Grupi hetimor ka nisur pyetjen e familjarëve dhe të dëshmitarëve të ngjarjes, ndërsa nga ana tjetër, agjentët në terren kanë shoqëruar gjashtë persona si të dyshuar për krimin. Policia tha se të shoqëruarit janë kryesisht persona me precedentë penalë dhe përdorues droge, pasi fillimisht ngjarja u dyshuar si një grabitje e mundshme. Pista më e rëndësishme hetimore e policisë mbetet ajo e vrasjes për motive xhelozie. Për këtë arsye, bashkëshorti i Eleni Bashos është marrë në pyetje hollësisht nga oficerët e policisë, në rast se ai mund të kishte ndonjë dyshim rreth ngjarjes. Gjithashtu, edhe koleget e punës së 35-vjeçares në laboratorin e një klinike dentare ku ajo punonte si laborante.
VRASJA
Rreth orës 18:50, Eleni Basho ka dalë nga shtëpia e saj në Shkozë, pasi do të shkonte për vizitë te një e afërme e saj. Pasi ka bërë një copë rrugë ajo është kthyer edhe një herë, pasi kishte harruar të merrte portofolin. Në shtëpi ndodheshin i shoqi, djali, vajza e saj, si dhe vjehrri që jetonte me ta. Pasi ka dalë herën e dytë nga shtëpia, nuk ka arritur të ecë as 50 metra dhe në një rrugicë të ngushtë, të pandriçuar, ajo është qëlluar tri herë në gjoks me plumba të kalibrit 9 milimetra. Sipas Policisë, autori apo autorët e ngjarjes mund ti kenë zënë pritë nënës së dy fëmijëve në zonën e pandriçuar dhe vrasja ka qenë e planifikuar dhe me dashje. Të njëjtat burime konfirmuan se mes autorëve dhe viktimës nuk ka pasur përleshje, por vetëm të shtënat e armës. Edhe fakti që tre plumbat e shkrepur nga arma e kanë goditur në pjesën e gjoksit 35-vjeçaren, sipas policisë, tregon se ngjarja ka qenë e paramenduar dhe e qëllimshme. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka kaluar në plan të dytë pistën e ndonjë tentative të mundshme, edhe për faktin që çanta e gruas është gjetur pranë vendit të ngjarjes. Pista kryesore e hetimit, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes, është vrasje për motive xhelozie.
Dëshmitarët: Dëgjuam vetëm tri të shtëna
Në kohën kur ka ndodhur vrasja e 35-vjeçares Eleni Basho, zona përreth vendit të krimit nuk ka pasur lëvizje edhe për shkak të shiut që po binte në ato momente. Vrasja ka ndodhur ngjitur me murin rrethues të një shtëpie përdhese dhe personat e parë që kanë lajmëruar policinë kanë qenë pikërisht banorët e asaj shtëpie. Ata kanë qenë edhe dëshmitarët e parë që janë marrë në pyetje nga policia, duke shpresuar se mund të jepnin ndonjë detaj të rëndësishëm për ngjarjen. Por, sipas tyre, janë dëgjuar vetëm tri të shtëna arme zjarri dhe asgjë tjetër. Ata kanë deklaruar gjithashtu se nuk kanë dëgjuar thirrje për ndihmë nga ana e viktimës dhe as ndonjë pasthirrmë tjetër. Kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur, por nuk kanë arritur të shohin asgjë, pasi autorët ishin larguar, ndërsa viktima ndodhej e shtrirë në një pellg me ujë, në mes të rrugës.
Vritet gabimisht 24-vjeçarja
Megi Jokiçi qëllohet me një plumb në nofull, po hynte në kafe me të fejuarin
Atentati te Komuna e Parisit, objektiv Aleksandër Gocaj
Një vajzë 24 vjeçe u plagos fillimisht e më pas vdiq në një skenë krimi, ku është ndodhur krejt rastësisht te Komuna e Parisit në Tiranë. Atentati që dyshohet se ishte planifikuar ndaj një personi me precedentë penalë, ka shkaktuar vdekjen e vajzës 24-vjeçare, që besohet se nuk kishte lidhje me larjen e hesapeve. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:30, pranë zonës së Komunës së Parisit në Tiranë. Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar në drejtim të Aleksandër Gocajt, 27 vjeç, me qëllim vrasjen e tij. Rastësisht, 24-vjeçarja Megi Jokiçi ndodhej në vendin e gabuar duke marrë një plumb në kokë dhe ka vdekur mbrëmë pas mesnate në spital, pas tri orësh operacion. Ajo ka qenë bashkë me të fejuarin, në një makinë tip Mercedes A Clas, duke parkuar para një lokali, ku do të pinin kafe, afër një qendre tregtare. Në të njëjtën kohë, 36-vjeçari Aleksandër Gocaj ka qenë duke dalë nga i njëjti lokal, ku do të hynin çifti i të fejuarve. Një person brenda një fuoristrade tip Nissan ka ulur xhamin dhe pa zbritur nga makina, ka qëlluar dy herë me armë zjarri. Një nga plumbat ka goditur objektivin e tij, shtetasin Aleksandër Gocaj, ndërsa plumbi tjetër ka goditur xhamin e përparmë të makinës Mercedes A Clas të cilin e ka depërtuar. Predha ka plagosur rëndë 24-vjeçaren Megi Jokiçi që ndodhej në sedijen e parë të mjetit. Sipas burimeve, plumbi e ka goditur vajzën e re në mjekër, duke i shkaktuar një plagë të rëndë dhe shumë gjakderdhje. Ndërsa Aleksandër Gocaj, sipas Policisë, nuk ka pasur probleme dhe është jashtë rrezikut për jetën.
ARRATISJA E AUTORIT
Pasi ka dështuar në atentatin kundër Aleksandër Gocajt dhe ka vrarë vajzën 24-vjeçare, e cila nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, autori është larguar me nxitim nga vendngjarja, nga frika se do të identifikohej. I dyshuari thjesht ka mbyllur xhamin e makinës, nga e cila kishte qëlluar dhe i ka dhënë gaz, duke u larguar në drejtim të rrugës kryesore të Komunës së Parisit. Duke lëvizur me nxitim, në fillim të rrugës, sapo fillon disheza, autori ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një veturë të parkuar në anë të rrugës. Pa kryer asnjë tentativë për ta lëvizur fuoristradën e tij të përplasur, i dyshuari ka zbritur dhe ka lëvizur me armë në dorë nëpër rrugicat e errëta të zonës, duke i shpëtuar kapjes nga policia, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes. Madje, dëshmitarët që kanë parë autorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes kanë dyshuar se ai ka vrarë personin me të cilin ishte përplasur. Në momentin kur ai është përplasur, kishte plagosur dy persona dhe po arratisej. Burime nga grupi hetimor thanë se kanë shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në lokal dhe jashtë tij. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë që ndodheshin në disa biznese private pranë vendit të krimit. Policia ka marrë në cilësinë e provës materiale edhe fuoristradën e braktisur në rr