Vriten dy ushtarë të NATO’s

Dy ushtarë të forcave të NATO’s në Afganistan kanë humbur jetën, pasi janë qëlluar nga një ushtar afgan dhe nga një tjetër me veshje civile, u njoftua të enjten nga Forcat Ndërkombëtare të Sigurimit në Afganistan - ISAF.
Sipas njoftimit të ISAF, incidenti ka ndodhur në jug të Afganistanit, megjithëse nuk u dhanë detaje tjera shtesë lidhur me lokacionin, identitetin e viktimave, e as për atë se çfarë ndodhi ndërkohë me sulmuesit.
Nga ana tjetër, agjencia e lajmeve AFP njoftoi se incidenti që për epilog pati vrasjen e dy ushtarëve të NATO’s ndodhi në provincën Kandahar.
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi që komandanti suprem i NATO’s në Afganistan lejoi disa prej këshilltarëve të huaj që të ktheheshin në punë në disa prej ministrive afgane.
Të shtunën e kaluar dy zyrtarë të SHBA’ve u qëlluan për vdekje nga një zyrtar i shërbimit afgan të zbulimit, brenda ndërtesës së Ministrisë së Brendshme Afgane, në Kabul.