Në Inter ndihet i rëndësishëm

“Nuk e di nëse ky është Cassano më i mirë ndonjëherë, por në aspektin realizues po. Edhe pse, unë preferoj më shumë asistimet sesa golat. Për mua, e rëndësishme është të jem i lumtur dhe ashtu jam sot. Këtu më bëjnë të ndihem i rëndësishëm. Kam shumë armiq në botën e futbollit, por në Inter ma duan të mirën”, ka thënë përfaqësuesi italian në një intervistë për Mediaset Italia 2.
Cassano ëndërron të jetë pjesë e Botërorit të Brazilit me Italinë, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme që pati në Euro 2012. Ai e pranon se një ditë do t’i pëlqente të rikthehet në Sampdoria dhe ta mbyll karrierën aty. Ai synon që me Interin ta fitojë Scudetton, por tregohet i sinqertë dhe thotë se Juventusi ka diçka më shumë.
Sulmuesi italian beson se Diego Milito do ta fitojë titullin e golashënuesit më të mirë. Barcelonën e konsideron favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa Messi, i cili sipas tij është më i mirë se Maradona, do të mbetet më i forti në 10 vjetët e ardhshëm.