Dyshimet rreth vdekjes, zhvarroset trupi i ish-presidentit turk, Ozal
Trupi i ish-presidentit të Turqisë, Turgut Ozal është zhvarrosur sot në Stamboll, për t`i ndihmuar prokurorët që të kryejnë hetimet lidhur me dyshimet se ai ishte helmuar.
Ekspertët thonë se rezultatet e testeve të helmimit mund të dalin pas disa muajsh.
Ozal vdiq papritur në prill të vitit 1993, në moshën 65 vjeçare, në kohën kur ishte në detyrën e presidentit të vendit.
Vdekja e tij zyrtarisht u konstatua si rezultat i një sulmi në zemër. Të afërmit dhe bashkëpunëtorët thonë se besojnë se Ozal ishte helmuar. Eshtrat e Ozalit pritet të rivarrosen në fund të javës.