Vritet “mbretëresha e kokainës” në Kolumbi

Griselda Blanco, 69 vjeç, është qëlluar për vdekje nga persona të armatosur, teksa dilte nga një dyqan mishi.
Blanco ishte një nga kolumbianët e parë që trafikuan kokainë në sasi të mëdha nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara, në vitet 1970-1980.
Ajo vendosi shumë rrugë trafiku, të cilat u morën nën kontroll nga karteli i Medelinit, pasi ajo u dënua me 20 vjet burg për trafik droge.
E konsideruar si e pamëshirshme, Blanco dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e shumë rivalëve të saj, për të arritur në majat e biznesit të narko-trafikut.
E dënuar nga një gjykatë amerikane në vitin 1985, ajo kaloi pothuajse 20 vjet në një burg të Shteteve të Bashkuara, përpara se të dëbohej në Kolumbi në vitin 2004.
Familja e saj deklaroi se kur ishte kthyer në vendlindje, Blanco i kishte shkëputur lidhjet me krimin e organizuar. Ndërkohë, policia në qytetin e Medelinit thotë se po heton motivet e vrasjes.