Shala: Të jemi kategorikë në largimin e Serbisë nga veriu

“Mund të them që Kosova dhe Serbia duhet përfundimisht t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ky normalizim, për bindjen tonë, nënkupton njohjen reciproke midis shteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Shala, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Një gjë është fare e qartë për të gjithë ne që jemi në politikë, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, se kushdo qoftë që do të bisedojë me Beogradin, e ka detyrim e obligim ta respektojë Kushtetutën, ta respektojë konceptin të prezantuar nga Presidenti Ahtisaari”.
Prandaj, sipas tij bisedimet eventuale nuk do të sjellin më shumë se sa që është e paraparë me Kushtetutën dhe me dokumentin e presidentit Ahtisaari. “Këtë e kemi detyrim si politikanë të Kosovës, ketë e kemi obligim edhe si qytetarë të Kosovës”.
Sipas Shalës zhvillimet që u bënë në Kosovë pas 25 korrikut qartësuan krejtësisht që Serbia kontrollon veriun, e jo strukturat paralele, jo kryetarë të komunave atje. Të gjitha ata, sipas tij faktikisht janë të përkrahur në mënyrë të plotë nga shteti apo Qeveria e Serbisë.
“Megjithatë, pas ngjarjeve të vitit të kaluar, siç e dini, ekziston një qëndrim goxha kategorik në Uashington, Bruksel, Berlin, që Serbia duhet të largohet nga veriu. Madje ky do të jetë njeri prej kushteve kyçe që Serbia ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, ka thënë Shala për REL.
Sipas tij, do të ekzistojë një presion i jashtëzakonshëm mbi Serbinë, dhe “ne s’kemi çfarë të hamendemi që të jemi kategorikë kur të nisin këto bisedime, që kusht për gjithçka, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, është që Serbia të largohet nga veriu dhe që edhe atje të aplikohet propozimi i presidenti Ahtisaari apo Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Kurse lidhur me koalicionin e përfolur shumë këto ditë, përfshirjes së AAK-së në koalicionin qeverisës, nënkryetar i parë i i kësaj partie tha se nuk ka asgjë konkrete.
“Tema e dialogut Prishtinë - Beograd dhe normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi, për bindjen tonë është temë shtetërore, nuk e kushtëzojmë askë për t’u preokupuar për këtë temë, nuk është temë e cila duhet t’i paraprijë çfarëdo marrëveshjeje eventuale për një qeveri të re. Ne si Aleancë e kemi thënë fare të qartë që nuk e marrim përgjegjësinë”, ka thënë tutje Shala.