Enver Hoxha shtohet me 20 mijë kopje të tjera Shqipëria shkon tek 10 mijë të dytat
Zyrtare nga UET Press dhe Mapo Editions:
Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut është shitur në katër javë 20 mijë kopje dhe janë shtypur 20 mijë kopjet e dyta.
Libri “Shqipëria” i Ben Blushit është shitur në një javë 10 mijë kopje dhe janë shtypur 10 mijë kopjet e dyta.
Vizitorët e Panairit të Librit kanë mbajtur me orë të tëra radhë të gjata për të bërë të tyren dy libra: “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut dhe “Shqipëria” të Ben Blushit . Dy librat që kanë shënuar rekorde të padëgjuara shitjesh mbaronin aq shpejt, sa në stendat e UET Press-it dhe “Mapo Editions” ishte e pamundur të përballohej fluksi i madh i njerëzve që kërkonin librin dhe autografe nga dy autorët. Është vetëm java e katërt që “Enver Hoxha” është në treg nga botimet UET Press dhe janë shitur 20 mijë kopje. “Shqipëria” e Ben Blushit ka vetëm një javë që është promovuar nga “Mapo Editions” dhe numëron 10 mijë kopje të shitura. Kërkesat e lexuesve që nuk largoheshin nga stenda e UET Press-it pa bërë të tyrin librat e Fevziut dhe Blushit ishin të papërballueshme për dyja shtypshkronjat “Maluka” dhe “Media Print”, ku u shtypën 30 mijë kopjet e para. I gjendur para këtij fenomeni shitjesh të padëgjuar e të pandodhur më parë në tregun e librit shqip, botuesi i UET Press dhe “Mapo Editions”, Henri Çili i është drejtuar shtypshkronjës ILAR, një shtypshkronjë me kapacitet të lartë për të plotësuar kërkesat për këto dy libra që kërkohen jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Sot është dita e fundit e Panairit dhe një lajm i mirë vjen për lexuesit që janë larguar të mërzitur nga Pallati i Kongreseve, sepse nuk kanë mundur të bëjnë të tyrin dy librat që kanë çuditur edhe vetë autorët me rekordet e shitjeve. Botuesi i UET Press dhe ‘Mapo Editions’, Henri Çili konfirmon zyrtarisht se për librin “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut janë shtypur edhe 20 mijë kopje të tjera, ndërsa për librin “Shqipëria” të Ben Blushit edhe 10 mijë kopjet e dyta, me shpresën se 30 mijë kopjet e dyta të dy librave më të shitur do të mund të kënaqin ‘urinë’ e lexuesve mbarëshqiptarë. “Kërkesat për këta dy libra janë aq të mëdha, sa ne u gjendëm para një situate të pangjarë më parë; nuk arrinim të përballonim kërkesat e lexuesve. Kërkesat vijnë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Janë shitur 20 mijë kopjet e para të librit të Fevziut “Enver Hoxha”, dhe kemi shtypur edhe 20 mijë kopjet e dyta. Libri “Shqipëria” i Ben Blushit është shitur në 10 mijë kopjet e para dhe kemi shtypur 10 mijë kopjet e dyta për të përballuar kërkesat e lexuesve që rrinë me orë të tëra në stendën tonë”, - konfirmon botuesi Henri Çili. Dy miqtë e hershëm janë bërë sërish bashkë tek botimet Mapo për të thyer rekorde shitjesh në tregun e librit, si dikur në vitet e para të karrierës së tyre si gazetarë, ku thyenin rekorde me shitjen e gazetës “Koha jonë”.