Përgjigjet Dell
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, të mërkurën i ka bërë komentet e para pas aksionit të Njësive Speciale të Kosovës në pjesën veriore.
Dell i është përgjigjur akuzave të Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, i cili ka thënë se diplomati amerikan qëndron prapa veprimeve të autoriteteve kosovare.
Ai ka thënë se është gabim që Presidenti i Serbisë mendon një gjë të tillë.
“Do të isha i kënaqur që Presidenti i një vendi si Serbia do të mendonte se jam këtu ambasador dhe njëfarë autoriteti. E vërteta është se është gabim të mendohet kështu”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklaratat e Tadic janë mite.
Ambasadori i SHBA’ve ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim duke u bazuar në interesat dhe kapacitetet e veta.
“Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i Kosovës janë të aftë që të marrin vendime dhe të veprojnë në emër të Kosovës. Është gabim të besohet se është një mit i vjetër që secili vend duhet ta ketë një fuqi të madhe.
E vërteta është se institucionet dhe Qeveria e Kosovës janë gjithnjë e më të afta që të marrin vendime vetjake, duke vepruar për ato që besojnë se janë interesa të vendit dhe mendoj se është gabim që këto të merren si vendime të fuqive të mëdha ose vendeve tjera . Është shumë më mirë të kuptohet se këto janë vendime nga vendet që janë të mallkuara nga gjeografia që të jenë gjithmonë fqinjë dhe respekti për faktin se institucionet e Kosovës”, ka thënë Dell.
Duke kundërshtuar përdorimin e dhunës në veri, Dell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë fqinjësi të mirë.
“Mendoj se është fondamentale që të krijohet një kuptueshmëri dhe respekt që eventualisht do të çonte drejt asaj që dy vendet të jetojnë së bashku si fqinjë të mirë”, ka thënë Dell gjatë promovimit të disa projekteve të USAID’it në Komunën e banuar me shumicë serbe – Graçanicë.
Një ditë më parë, Zëvendësndihmëssekretari i parë i Shtetit, Thomas Countryman u bëri thirrje palëve se duhet t`i kthehen dialogut dhe të shmangin dhunën, derisa ka kundërshtuar mundësinë e ndarjes së vendit.
Të njëjtat porosi i ka përcjellë edhe ambasadori Dell. “Mendoj se z. Countryman ishte i qartë për këtë dje. Ne e përkrahim integritetin territorial të Kosovës, e përkrahim shtrirjen e sovranitetit, sovranitetin e Kosovës, funksionimin e Qeverisë së Kosovës në tërë territorin , funksionin e sistemit unik të doganave , sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës”, ka deklaruar Dell.
Ai ka kundërshtuar bllokimin e rrugëve që janë duke e bërë serbët atje. “Mendoj se zgjidhja është jo përmes bllokimit të rrugëve, por duke zhbllokuar ato , duke bërë rikthimin e lirisë së lëvizjes në pajtim me rezolutën e OKB’së 1244 dhe siç e thashë sot më herët gjatë vizitës në Graçanicë, liria e lëvizjes ka të bëjë me ndihmën e njerëzve e jo bllokimin e rrugëve . Njerëzit janë të brengosur me mungesën e furnizimeve në veri.. Derisa ka bllokada të rrugës atje, produktet nuk do të hyjnë.
Kjo nuk po u ndihmon komuniteteve, unë kam marr vesh se mund të ketë pasur progres të dukshëm sot në largimin e disa bllokadave në rrugë”, ka theksuar ai.
Dell ka deklaruar se dhuna nuk do të tolerohet, derisa Prishtinës dhe Beogradit iu ka bërë thirrje disa herë t`i kthehen dialogut.
“Natyrisht jo. Dhuna nuk është e pranueshme. Dhuna nuk do të zgjidhë asnjë problem këtu. Ajo që na duhet tani është, siç e tha edhe Tom Countryman në deklaratat e tij nga Washingtoni - është që njerëzit të jenë të qetë, të lejohen institucionet që të dalin me zgjidhje stabilizuese që do të lejojnë kthimin në dialog, duke kërkuar zgjidhje afatgjata që mund të zgjidhin rikthimin e lëvizjes së mallrave, mallrave komerciale përgjatë kufirit në të dy drejtimet”, ka shtuar ai.