Bushati: Berisha tu kërkojë falje shqiptarëve
21/12/2009 Hapësira “Shengen”
Partia Socialiste shigjetoi ashpër qeverinë “Berisha” lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Duke iu referuar deklaratës së komisionarit për Zgjerimin Olli Rehn, i cili bëri me dije për heqjen e rrëgjimit të vizave për maqedonasit, serbët dhe malazezëve, socialistët kërkuan nga kryeministri Berisha që së paku t’u kërkojë falje shqiptarëve, të cilët nuk arritën një ditë të tillë, edhe pse ishin të parët që nisën këtë proces. “Shqipëria mbeti e fundit në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të dështimit të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian, kritere këto të njëjta për 5 vendet të rajonit”, - u shpreh deputeti i PS-së Ditmir Bushati. “Është koha që Sali Berisha t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për dështimin e qeverisë së tij dhe për izolimin që sot përjetojmë në dallim nga fqinjët tanë. Bashkë me ndjesën për shqiptarët Berisha nuk duhet të na vonojë më në procesin e liberalizimit të vizave, por të dorëzojë para drejtësisë imunitarët e inkriminuar, sikurse kërkon raporti i progresit i Komisionit Europian dhe raportet e vlerësimit të ekspertëve të Bashkimit Europian mbi përmbushjen e standardeve për heqjen e regjimit të vizave”, - nënvizoi deputeti socialist.