E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshehtësia e stabilitetit

Para një viti, dukej se bota kishte mundësi të copëtohej. Sistemi global financiar, i cili ka nxitur zgjerimin e madh të kapitalizmit dhe tregtisë në gjithë botën, po shembej. Të gjitha parimet e epokës së globalizimit- ato për vlerat e tregjeve të lira, tregtisë dhe teknologjisë- po viheshin në pyetje. Besimi në modelin amerikan u shemb. Industria financiare u shemb. Tregjet që po dilnin në sipërfaqe, si Kina, India dhe Brazili, po fundoseshin. Tregtia botërore po tkurrej deri në nivelin e paparë që nga vitet ‘30.

Ekspertët parashikuan dështimin e një sektori pas tjetrit, të një shteti pas tjetrit. Në eseun tejet të cituar, i cili u publikua në revistën Atlantic në muajin maj, ish-ekonomisti kryesor i Fondit Ndërkombëtar Monetar, Simon Johnson, shkroi: ”Mençuria konvencionale në mesin e elitave është se kjo rënie nuk mund të jetë aq e keqe sa edhe Depresioni i Madh. Ky qëndrim është i gabuar. Me atë që po përballemi tani në të vërtetë mund të jetë një gjë edhe më e keqe se Depresioni i Madh”.

Të tjerët parashikuan se trandjet ekonomike mund të prodhojnë jostabilitet politik dhe dhunë, në shtetet më të goditura nga kriza. Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij, e cila u zhvillua në shkurt, drejtori i ri për inteligjencë kombëtare, Dennis Blair, ia tërhoqi vërejtjen Senatit se “kriza financiare dhe recesioni global me gjasë do të prodhojnë një valë të krizave ekonomike, në shtetet në zhvillim”. Hillary Clinton mbështeti këtë parashikim të zymtë. Revista Foreign Policy publikoi një seri të artikujve, në të cilët u parashikuan trazira serioze në disa tregje që po dalin në sipërfaqe.
Për një gjë, për të cilën të gjithë ishin të sigurt: asgjë më nuk do të jetë njëjtë si më parë. As industria financiare, as kapitalizmi, e as globalizimi.

Një vit më vonë shtrohet pyetja se sa ka ndryshuar vërtet bota? Mirë, në Wall Street ekzistojnë dy banka më pak për investime. Disa banka rajonale kanë falimentuar. Kishte ca trazira në Moldavi dhe në Iran (të cilat fare nuk kanë lidhje me krizën financiare). Mbesin probleme të mëdha, si papunësia e lartë në Perëndim dhe po përballemi me kriza të reja, të cilat janë nxitur nga reagimet ndaj krizës- borxhi i shtuar dhe frika nga inflacioni.

Por marrë në përgjithësi, gjërat nuk duken si në vitet ‘30. Parashikimet për shembje ekonomike dhe politike nuk janë materializuar fare.

Një matës elementar i frikës dhe i brishtësisë është aftësia e shteteve të varfra dhe jostabile për të marrë para hua në tregun e kredive. Pra keni parasysh këtë: aksionet sovrane të Pakistanit në telashe këtë vit kanë siguruar një kthim prej 168 për qind. Ky nuk është një lajmëtar i rikëndelljes, por pasqyron kthimin në një nivel të normalitetit.

Dhe kthesa ka qenë aq e shpejtë, sa që shumë ekspertë mbetën gojëhapur.
Rikëndellja nuk ka ndodhur për shkak se tregjet ia kanë arritur ta stabilizojnë veten. Më shumë kjo ka ndodhur për shkak se qeveritë, të cilat kanë mësuar leksionet e Depresionit të Madh, ishin të vendosura që mos të përsërisin gabimet e njëjta, në momentin kur shpërtheu kriza. Duke zgjeruar në mënyrë masive përkrahjen e shtetit për ekonominë- nëpërmjet bankave qendrore dhe thesareve kombëtare- ato parandaluan dëmin më të madh.

Është kjo ende një periudhë mjaft e vështirë, por gjërat nuk janë as për së afërmi aq keq si në vitet ‘30, kur qeveritë kanë luajtur një rol të vogël në ekonomitë kombëtare.

Ekzistojnë një arsye thelbësore, për të cilën besoj se ne nuk përjetuam shembjen e madhe globale vitin e kaluar. Është kjo arsyeja e njëjtë, e cila na mundësoi që të tejkalojmë shembjen e tregut të aksioneve në vitin 1997, recesionin në vitin 1992, krizën e Azisë në vitin 1997, vështirësitë e Rusisë në vitin 1998 dhe shembjen teknologjike në vitin 2000. Sistemi aktual ekonomik global është më i qëndrueshëm sesa që besojmë ne. Bota e sotme karakterizohet nga tri forca kryesore të stabilitetit, secila prej tyre që forcon tjetrën dhe secila historike për nga natyra.

E para është përhapja e paqes mes superfuqive. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, fuqitë e mëdha në botë nuk kanë garuar mes vete në fushën gjeoushtarake. Ka pasur ca tendosje politike, por nëse maten me standardet historike, bota sot është pa përçarje mes shteteve më të mëdha. Kjo mungesë e konfliktit është mjaft e rrallë në histori. Duhet të kthehesh prapa së paku 175 vjet, nëse jo edhe 400 vjet, për të gjetur një periudhë, si kjo në të cilën jetojmë sot.

Numri i njerëzve, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e luftërave, konflikteve qytetare dhe terrorizmit gjatë tri dekadave të kaluara ka rënë dukshëm. Paqja ofron mundësi për një jetë stabile ekonomike dhe tregtare.
Paqja e cila rezultoi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kishte një efekt shumë më të madh, ngase ajo u shoqërua nga diskreditimi i socializmit. Bota mbeti me një superfuqi të vetme dhe me një model të vetëm funksional ekonomik- kapitalizmin.

Forca e dytë për stabilitet është fitorja- pas betejës që u zhvillua për disa dekada- kundër kancerit të inflacionit. Para 35 viteve, e gjithë bota lëngonte nga inflacioni i lartë, me pasoja të thella sociale dhe politike. Inflacioni i lartë mund të jetë shumë më i dëmshëm se recesioni. Në vitet ‘70, inflacioni rezultoi me shkatërrimin e klasës së mesme.

Por më pas, në vitin 1979, filloi kthesa, kur Paul Volcker mori përsipër mbikëqyrjen e Rezervave Federative të SHBA-së, duke i shpallur luftë inflacionit.

Aktualisht, vetëm një shtet në botë lëngon nga inflacioni i lartë: Zimbabveja. Inflacioni i ulët iu lejon njerëzve, bizneseve dhe qeverive që të planifikojnë për të ardhmen, një nga parakushtet kryesore për stabilitet.

Forca e tretë e stabilitetit, e cila e ka forcuar sistemin global, është ndërlidhja teknologjike. Në njëfarë mënyre, globalizimi ka ekzistuar gjithmonë në botën moderne, por deri së fundi, konturat e tij ishin të kufizuara vetëm në tregti.

Sot, revolucioni informativ ka krijuar një sistem më të ndërlidhur global.

Globalizimi sot në thelb ka të bëjë me përhapjen e njohurive në tërë botën.

Kjo përhapje e njohurive është arsyeja kryesore për stabilitetin e sistemit aktual global.

Tani kemi kërkesa domethënëse të brendshme, në shtetet si India. Qeveria e këtij vendi ka burime masive në Kinë dhe tregtia mes këtyre dy vendeve është intensifikuar. Kina e ka tejkaluar SHBA-në si partneri më i madh tregtar i Indisë. Kjo zhvendosje e pushtetit mund të dëshmohet si trashëgimia më jetëgjatë e krizës së vitit 2008. Se si do të përballen shtetet e etabluara me këtë dhe si do të trajtojnë ato vështirësitë e tyre ekonomike, në mesin e qendrave të shumta konkurruese ekonomike, do të jetë sfida kryesore gjatë dekadës së ardhshme. Nëse nuk mund të adaptohen, bota ka gjasa të mbetet kaq stabile.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›