E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vuçiq: Intervenim urgjent për zbatimin e ligjit në Preshevë

“Kemi probleme në jug të Serbisë. Ne respektojmë të drejtat e pakicave dhe këtë e kemi biseduar edhe në parti. Ne nuk i ndajmë njerëzit sipas përkatësisë fetare, ngjyrës apo nacionalitetit. Ne kemi një shtet, Serbinë dhe këtë shtet duhet ta respektojnë të gjithë qytetarët pavarësisht se cilit konfesion ose nacionalitet i takojnë ose cilës ngjyrë dhe ligjet e këtij shteti duhet të respektohen” ka thënë Aleksandar Vuçiqi në fillim të deklaratës së tij për mediat në Beograd.

Në vazhdim, ai ka shtuar: “Në këtë kontekst, edhe në komunën e Preshevës duhet të respektohen ligjet. Edhe në Preshevë do të respektohen dhe do të zbatohen ligjet e Serbisë”.

Lidhur me lapidarin e UÇPMB-së, Aleksandar Vuçiq përsëritë kërcënimin me fjalët: “Sa i përket lapidarit-përmendores, organet kompetente të Serbisë do të veprojnë në pajtim me ligjin në afat sa më të shkurtër, sa më urgjent”.

Ky informacion kërcënues është transmetuar në mediumet serbe, pas takimit të zëvendës kryeministrit të Serbisë njëherit dhe ministër i mbrojtjes, Aleksandar Vuçiq me kryesinë e partisë së tij-SNS, ku ai në paraqitjen e tij ka informuar për aktivitetet vijuese të Qeverisë së Serbisë.

Kërcënimet e Aleksandar Vuçiqit janë “reprizat ose kopjet” e kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Beogradi, qofshin ato të kryeministrit Ivica Daçiq, presidentit Tomisllav Nikoliq, ose ministrave e strukturave të tjera të pushtetit të Beogradit në kohën kur Beogradi e ka vënë Preshevën në shtetrrethim të plotë dhe e ka mbyllur hermetikisht nga të gjitha anët me polici, xhandarmeri dhe forca tjera të armatosura./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›