Vlerësohet bashkëpunimi rajonal në arrestimet e drogës

Goditja e fundit mbi një grup të krimit të organizuar të dyshuar për shitjen e drogës, e përshëndetur si një nga përpjekjet më të mëdhaja të bashkëpunimit rajonal deri më sot, i ka dhënë një goditje të madhe trafikut të kontrabandës së drogës në Ballkan, thanë zyrtarët.
Policia nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH), Serbia, Maqedonia dhe Kroacia arrestuan 51 persona më 12 prill nën dyshimin për kontrabandë të paligjshme dhe shitjen e sasive të mëdha të drogës. Drogë dhe pasuri të tjera u konfiskuan gjatë operacionit.
“Ky veprim konfirmon bashkëpunimin midis policisë dhe gjyqësorit në rajon dhe kornizën e mirë legjislative për veprime të tilla. Ajo ndërpreu rrugën e trafikimit të drogës që shkonte nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, dhe më tej në Evropë,” tha Zeljko Petkoviç, drejtor i Zyrës kroate për luftën kundër drogës, për SETimes.
Rëndësia e prerjes së kësaj rruge, tha Petkoviçi, është e dukshme në tendencën në rritje të trafikimit të drogave sintetike dhe lëndëve të tyre të para nga perëndimi në lindje. Në të njëjtën kohë, rajoni përballet me numrin në rritje të të droguarve nga marihuana dhe drogave sintetike dhe një numër në rënie të të droguarve nga heroina.
Operacion i përbashkët u krye me mbështetjen e programit të BE-së IPA 2010 dhe Qendrës për Zbatimin e Ligjit të Evropës Juglindore.
“Veprimtaritë përfshinë qindra policë të cilët punuan në të njëjtën kohë dhe në bashkërendim në katër vende. Të arrestuarit janë të dyshuar për krim të organizuar, trafikim të paligjshëm të drogave narkotike dhe vepra të tjera të rënda penale,” tha Boris Grubjesiç, një zëdhënës për prokurorët e Zyrës së BiH-së, për SETimes.
“Ky veprim është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të prokurorive dhe policisë … në një hetim bashkëpunimi të koordinuar që është kryer për rreth një vit e gjysmë,” tha Grubjesiçi për SETimes.
Hetimi penal, i koduar Gladius, kapi 376 kilogram skund (një marijuanë më e fortë e modifikuar), 523 gram heroinë, dy bimë kanabis sativa, shtatë pistoleta, një pushkë, 22.2 kg eksploziv plastik, nëntë granata dore, dy pushkë harqe, më shumë shumë se 4,000 copë municion, tre laptopë, telefona celular, disa karta SIM dhe pajisje të tjera korrespondenduese, tha policia kroate.
Vlera e përgjithshme e tregut të barnave të konfiskuara vlerësohet të jetë 730,000 euro.
Shumica e marihuanës, rreth 312 kilogramë, u gjet në Malin e Zi.
Zbulimet fillestare të Zyrës Kombëtare të Policisë për Luftën e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policisë së Dubrovnikut treguan se grupi i qytetarëve kroat, boshnjak dhe malazezë po trafikonte sasi të mëdha të marihuanës në zonën e Shqipërisë nëpërmjet Malit të Zi dhe BiH për tregun e paligjshëm të drogës në Kroaci, Serbi dhe Evropën Perëndimore.
Të gjithë të dyshuarit u transferuan në Kroaci, BiH, Mal të Zi dhe Serbi për t’u përballur me akuza për bashkëpunim kriminal për prodhimin e paligjshëm, trafikimin e drogës dhe krimeve të tjera të rënda.
Arrestimet erdhën vetëm disa javë pasi shefi i Zyrës së OKB për Drogën dhe Krimin, Juri Fedotov, vizitoi Sarajevën, ku ai mbajti dy ditë takimesh me zyrtarë të BiH-së.
Sipas vlerësimeve të agjencisë së OKB-së, rreth 60 ton heroinë lëviz përgjatë rrugës ballkanike nga fushat e opiumit të Afganistanit për në destinacione në Evropën perëndimore dhe qendrore. Në vitin 2011, autoritetet në BiH njoftuan kapjen e 10.2 kilogramë heroinë, 444 kilogramë marihuanë dhe pothuajse 10 kilogram amfetaminë.
“Qëllimi ynë në Evropën Juglindore është që të punojmë ngushtë me shtetet për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, terrorizmin dhe abuzimin e drogës,” tha Fedotovi. “Jam shumë i kënaqur që Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të jetë një partner i fortë për UNODC në të gjitha këto fusha.”
Korrespondentët Katica Gjuroviç në Beograd dhe Drazhen Remikoviç në Sarajevë kontribuan për këtë raport.
A janë duke bërë mjaftueshëm qeveritë rajonale për të mbyllur rrugën e drogës në Ballkan? Na jepni mendimet tuaja më poshtë.