Kastrati: Daçiqi mendon se e ka kontrollin në veri

Kryeministri serb, Ivica Dacic, mendon se e ka kontrollin në veri, ndërsa ne të gjithë tani ndodhemi pikërisht në veri, dhe atë në këpucë e jo në çizme, ka deklaruar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë vizitës së tij banorëve shqiptarë të tri fshatrave të Leposaviqit: Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë.
Kastrati, bashkë me bashkëpunëtorë është dashur të udhëtojë mbi 10 kilometra më shumë për të arritur në këto fshatra nga drejtimi i Stantërgut, për shkak të barrikadës së vendosur nga serbët dy ditë më parë në magjistralen e Ibrit, përkatësisht tek kthesa e rrugës që çon për në këto fshatra.
Ai tha se “fakti që ne ndodhemi tani tek barrikada e vendosur dy ditë më parë nga ana e serbëve, një pjesë të së cilës e kanë larguar vetë banorët shqiptarë të këtushëm, tregon se qarkullimi asnjëherë nuk mund të mbyllet”.
Sipas tij, kjo barrikadë shumë shpejtë do të pastrohet dhe rruga do të jetë e qarkullueshme si më parë.
Ai ka përmendur dy qëllime kryesore të vizitës së tij banorëve të këtushëm, njohjen për së afërmi me problemet e tyre, si dhe vazhdimin e meremetimit të rrugës alternative që do të kushtojë rreth 20 mijë euro, e që do t’u shërbejë banorëve të këtushëm në rast nevoje për të mos mbetur të izoluar, transmeton KP.
Ai përmendi patrullimet e shpeshta të pjesëtarëve të policisë së Kosovës në këto fshatra, të cilat po mundësojnë një situatë të volitshme për sigurinë dhe lëvizjen e banorëve.
Në anën tjetër, Lulzim Hetemi, banor i fshatit Bistricë, tha se barrikada e vendosur dy ditë më parë në hyrje të këtyre fshatrave ka vështirësuar dukshëm qarkullimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e tyre në drejtim të Mitrovicës.
Sa i përket çështjes së sigurisë, ai tha se siguria asnjëherë nuk ka qenë në nivelin e duhur, në veçanti ditët e fundit, por se falë pjesëtarëve të policisë së Kosovës, pastaj KFOR-it dhe strukturave tjera të sigurisë, ata nuk kanë probleme të mëdha./Indeksonline/