E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vula e pandryshueshme e 22 viteve krizë

Erion Buhali

-Në mars të vitit 1992, me një fitore plebishitare dhe vendimtare të Partisë Demokratike erdhi në fuqi lideri i saj i asaj kohe, por edhe aktual Sali Berisha. Që në fillimet e veta, Berisha u shqua për totalitarizmin dhe diktatin e tij. Shumë shpejt, ai do të pastronte partinë nga kundërshtarët e vet politikë. Figura themeluese të partisë së parë opozitare do të liheshin jashtë vendimmarrjeve në parti, ose në rastin më të keq, do të arratiseshin jashtë shtetit. Kali i tij i betejës mbi korrupsionin, do të ishte dhe burgosja e liderit të opozitës së asaj kohe, Fatos Nano. Me bekimin e vetë Sali Berishës dhe qeverisë së asaj kohe filluan të lulëzonin dhe të ashtuquajturat firma piramidale, ku shoqëria shqiptare, e papërgatitur ra menjëherë pre e këtij sistemi. Nuk do të zgjaste shumë dhe dështimi i këtyre skemave mashtruese, të cilat shkaktuan rënien, në mos shkatërrimin e ekonomisë, do të sillte rrëzimin më vonë edhe të qeverisë drejtuar nga demokratet. Pas një katrahure dhe zhbërje totale të shtetit, të drejtuar nga demokratët, në pushtet do të vinin socialistët. Jetëgjatësia e qeverisë së drejtuar nga socialistët do të zgjaste për dy mandate. Të përfolur dhe akuzuar publikisht për korrupsion nga opozita e atëhershme, PS-ja do të humbiste zgjedhjet në vitin 2005. 2005-a do të linte pas një të majtë të copëtuar e të ndarë, mes PS-së, tashmë të drejtuar prej Edi Ramës, njëkohësisht edhe kryetar i suksesshëm i bashkisë së Tiranës dhe në anën tjetër LSI-së, një parti e dalë nga gjiri i së majtës dhe e drejtuar nga një ish-kryeministër i majtë,Ilir Meta. Në pushtet do të riktheheshin përsëri demokratët të drejtuar akoma nga lideri historik i tyre Sali Berisha. Diktati i po të njëjtit njeri që shqiptarët e kishin dëbuar me armë e me votë 8 vite më parë, filloi të ndihej përsëri kudo, këtë herë më i moderuar në politikbërje. Nisi përsëri një gjueti e heshtur e ndarjes së shqiptarëve në tanët dhe të opozitës. Largimet e njëpasnjëshme nga puna, në shumë sektorë dhe zëvendësimi i tyre me militantë, dallkaukë e të pashkolluar, të cilët, të vetmen merite kishin shërbimin me devotshmëri ndaj partisë. Edhe një herë tjetër Shqipëria po përjetonte injektimin e partisë-shtet. Ky njeri është instaluar dhe injektuar për gati 21 vite me radhë. Skandale të tjera do të pasonin mandatin e tij qeverisës, si te vrarët e fabrikës famëkeqe në Gërdec, apo 4 manifestuesit opozitarë, grabitja e zgjedhjeve dhe shumë krime të tjera si këto, por si për çudi, nuk e ka për gjë ta paraqesë Shqipërinë si superfuqi ekonomike e model ekonomik për t’u ndjekur nga shumë vende europiane. Rregulli është, që çdo politikan ka një projekt, mbaron projektin dhe largohet nga politika. Kush e mban mend 22 marsin e 1992, në atë kohë në krahun e qeverisë ishin pothuaj të njëjtët drejtues që i shohim dhe sot e kësaj dite në tribunat e mitingjeve të Partisë Demokratike. Kjo lloj mungese e kredos morale vazhdon të na shitet me një çmim të lartë si një formë demokracie.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›