E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK duhet ti thotë po aleancës me PS-në

spahiu134Nga Ilir Yzeiri

Për hir të së vërtetës, Kreshnik Spahiu dhe Aleanca Kuq e Zi kanë qenë më të hapur dhe më të drejtpërdrejtë me PS-në. Ata, në mëse një rast, kanë deklaruar se ne jemi gati të bashkëpunojmë me cilëndo forcë politike që kërkon të largojë nga qeveria shtetasin Berisha. Kanë shtuar më pas edhe kritere të tjera që janë konform me linjën e tyre politike dhe të natyrshme gjithashtu.

Për hir të së vërtetës, Edi Rama nuk e ka pëlqyer shumë këtë sjellje të hapur dhe të drejtpërdrejtë të Spahiut. Insinuata e tij e fundit se AK-ja me retorikën e ashpër kundër korrupsionit mund të jetë një çifte e fshehur e Berishës dhe PD-së për të krijuar klimën e anti-politikës dhe për ti penalizuar të gjithë, ishte një ftesë nervoze jo shumë e studiuar dhe mbartte frikë.

Me hapjen drejt LSI-së, Edi Rama provoi të paraqitej si një lider pragmatik që ka si synim kryesor pushtetin dhe më pas reformat që ai ka paraqitur. Mirëpo marrja e pushtetit dhe ndarja e tij janë dy gjëra të ndryshme. Në qoftë se duhet të besojmë që Edi Rama e ka seriozisht përmirësimin e sistemit politik që është kalbëzyer edhe pse ai vetë i dha një dorë me amendimet kushtetuese, tani ai duhet që ta ruajë frymën opozitare dhe të rrisë koalicionin anti-Berishë.

Në këtë kuptim, ftesa ndaj AK-së mund dhe do të duhet të bëhet pa insinuata, por me sinqeritet dhe me pragmatizëm politik. AK-ja është një forcë e re, por shumë e organizuar politikisht. Në krah të koalicionit me PS-në ajo do të shërbente si një rregullator për të ruajtur drejtpeshimin politik dhe për të na dhënë garanci se sistemi do të nisë të vihet në binarë.

Nga ana tjetër edhe AK bën shumë mirë që nuk merret me insinuatat e PS-së, por e sheh me realizëm ftesën për të marrë pjesë në këtë koalicion.

AK duhet ta dijë që me këtë ligj zgjedhor, nëse ajo dëshiron të jetë faktor në politikën shqiptare, duhet të rreshtohet pas një lokomotive. Ajo duhet të tregohet pragmatike dhe të besojë se qëllimet arrihen kur bëhesh faktor dhe jo kur mbetesh frymë jashtë institucioneve. Shqipëria është vend i vogël dhe nuk është Italia.

Bepe Grilo iu imponua Italisë pasi atje ranë dy republika, pra, pas rreth 60 vjetësh eksperimentim partiak. Shqipëria ka një histori të shkurtër lirie dhe një popullsi të vogël, nga e cila vetëm një përqindje modeste jeton në qytet dhe ka sjellje qytetare.

Të tjerët manipulohen ende nga i pari i fisit ose i pari i partisë së madhe që e ka ndërtuar partinë si një klan të vetin. Për të gjitha këto e për shumë të tjera, AK-ja duhet ta pranojë ftesën e PS-së që të dalë në zgjedhje me koalicionin më të madh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›