Kanë vdekur artistët?
1./Kollovarët e Bllokut
Po ua rikonfirmoj edhe një herë që politika këtu te ne bën ligjin. Nuk pyet fare pse është fund dimri apo buhisje pranvere, nuk shqetësohet nëse përmbytet shkodrani apo vdesin devollijet, nuk trembet as kur kuliçët gjakosin argëtimin dhe as kur ushqimoret e lagjeve falimentojnë nga borxhet. Politika futet pa radhë e pa qeder në mendjet, sytë dhe mushkëritë tona e na bën të hallakatemi si të veremosur. Na trullos si pensionistë të diabetosur e na gënjen si fëmijë të pa ushqyer. Na tërheq pas vetes më tepër sesa një flirt erotik, më tepër se një veshje e re, më tepër se fitoret e Barcelonës, më tepër se një arkitekturë e Norman Foster-it, më tepër se një analizë e Umberto Eco-s, më tepër se linjat e Natalia Vadianova-s, më tepër se punët e impresionistëve francezë të dy shekujve më parë. Politika këtu mes nesh është edhe garipe, edhe e përdalë. Perverse po e po por edhe kokëpalarë e obeze. Politika të ngre e ta ngre, të ul e ta ul, të ngul e ta ngul. Politika e jonë shpartallon e penetron kod etike e morali, kod lekdukagjini e kod penal, kushtetutë e prostitutë, baltoset, lyroset, veremoset, puthet, kafshohet,vritet e riçel si kërp Shkreli e hashash Lazarati.
Politika e jonë është sport por nuk vë dot baste, është art por nuk çel dot një ekspozitë se fëlliqesh. Dhe meqënëse sot do flas për artistët le të ndalemi këtu.
Titulli nuk ka të bëjë aspak me ikjen e Aldo Bumçit nga ministër kulture dhe ardhjen e Visar Zhitit, por tërë këtë kohë kam vrarë mendjen, po artistët ku janë vallë?
Mbaj mend kur para 10-15 vjetësh artistët e të gjitha zhanreve protestonin e diskutonin për ligjet në dobi të tyre. Nuk përtonin të bënin as greva urie dhe plot autoritet prodhonin e mbijetonin si në rrethim. Pas kaq vitesh heshtja e tyre po shkon paralel me krijimtarinë e madje edhe rrogat i kanë qesharake, më qesharake se kllounët e cirkut të bashkisë së Tiranës.
Tu them artistëve shqiptarë pse nuk protestoni tashmë për veten dhe vendin ku është katandisur e tu sjell si shembull këngëtaret ruse të grupit Pussy Riot, jam i sigurt që aty matanë do të jehojë ndonjë tallava e tipit “ngjyra e kuqe shumë të ngjan”. Do kërkoj të di ndonjë paraqitje dinjitoze të Shqipërisë nëpër korridoret ndërkombëtarë të kulturës, e jam i sigurt që Pandi Laço me Adi Hilën do fillojnë të mburren me paraqitjen orientale plot hojna dhe xixa të vendit nëpër eurovizone. Mund të pyes pse Tirana nuk ka më bienale arti, por andej nga zyrat e bashkisë do më mburren me bustet e Ismailit, Ahmetit, Willsonit dhe qoftexhinjtë e pedonales që shesin sa herë ka synetllëqe kunati i Lulit. Nëse do të kërkoja të lexoja ndonjë libër të letërsisë dhe publicistikës vendase, Blendi Fevziu do të më shfaqej kudo e më shpesh se në ekranin e Klanit. Zhani Ciko mund të më ftonte në të 69 premierat vjetore të baletit, por në krahun tim Sali Berisha do ishte ulur pa diskutim.
Politikën, edhe arti edhe kultura e këtij vendi e kopjon shëmtuar. 23 vjet rresht të njëjtët aktorë në të dy zhanret.
Vdiq Ramiz Alia, vdiq dhe i madhi Kadri Roshi. Rron Nexhmije Hoxha, vegjeton edhe Rajmonda Bulku. Sali Berisha kollovar në Bllok, edhe Ardit Gjebrea dhëndër në Bllok. Nga fjalimet për shokun Enver të Saliut dhe këngët për xhaxhin Enver të Arditit tash kemi liderë të pazëvendësueshëm të PD-së dhe Këngës Magjike.
Hap televizorin del aktron Ilir Meta me Luan Ramën, del këndon edhe Sinani me Seldin. Pret të inaugurohet ndonjë ekspozitë pikture por gjithë artistët shkojnë ia falin veprat e tyre Lirisë autiste të Doktorit. Bërtet Auron Tare me Tan Shkrelin pse nuk gjendet grabitësit e afreskeve të Onufrit, por harrojnë që edhe Audi-n Q7 të Aldo Bumçit nuk e ka gjet ende njeri pavarësisht se nuk u vodh në Vlash të Elbasanit, por bash në Rrugë të Kavajës.
Pret që artistja e arratisur Suzanë të filozofojë e menaxhojë bukur artin dhe kulturën aty në ministri por Zana Turku kokë turku ka kohë që ka përfunduar. Madje doni tu tregoj miq të dashur që edhe për drejtoreshën e teatrit të kukullave Jozefina Topalli është bërë sebep për ta emëruar? Le të ndryshojnë të dy zonjat rolet se nuk ka dallim mes teatrit të fëmijëve pranë sheshit Austria dhe parlamentit te rruga e Elbasanit.
Faleminderit që kemi mediumet vizive paksa në terezi dhe argëtohemi me Portokalli, Këngë Shekulli, Top Fest, Al pazar, The voice, X Factor. Përndryshe do ishim rrudhur e mbledhur porsi estrada e Ballshit apo më keq se cirku i Patosit. Të vazhdojmë me kulturën nëpër provinca?
Patjetër që po. Sikur pakëz respekt dhe financa tu kushtonte Topalli humorit dhe këngës në Shkodër, Berisha valleve dhe kostumeve të Tropojës, Nishani etnografisë në Gjirokastër, Pollo folklorit dhe muzeumologjisë në Përmet, Bode traditave dhe qytetarisë korçare e devollite, Bulku kinematografisë… Vetëm më pakëz interes dhe respekt e ky vend do kompletohej nga ana shpirtërore e mendore. Do të harronte edhe pisllëqet e politikës edhe politikën e pisët të gjithë aktorëve të Parlamentit “Kinsotudioja e Re”.
-Po na çan trapin e ke kaq kohë që dërdëllit për artin e kulturën duke atakuar vetëm këta të djathtët që janë në ikje!-thonë shumë prej jush ndërkohë që po më lexoni.
-Ke një kryeopozitar ish ministër kulture, ke një lider me profesin piktor. Artist në gen e në fis!-vazhdoni turfulloni ju.
Unë nuk e qep dot gojën dhe pyes: -Për Edi Ramën e keni fjalën???
2./Edi ecën vetë
Nuk keni faj që pyesni, jo. Ndoshta keni harruar.
Më 27 mars 2013 u njoftua vdekja e aktorit të nderuar Demir Hyskja, por Zoti bëri mrekulli. Ishte një vdekje klinike dhe vetë Demiri u rikthye në jetë.
Pesë ditë më vonë, më 1 prill 2013 u shënua vdekja e një tjetër artisti. Një piktor ekstravagant, fantazist, frikacak por punëtor i pashoq ende ndodhet në vdekje klinike. Zemra i pulson paksa e mekur, por këto ditë kam ndjekur me vëmendje kardiologët Baze, Bushati, Thano, Yzeiri, Stefani, Nano, Hila e Çili dhe pavarësisht epikrizës dhe progresit skeptik të pacientit, të gjithë nën zë aprovojnë se do e kalojë me sukses këtë traumë. Në shtator do ketë një përmirësim të lehtë, ndërsa mot nga maji do fillojë të eci vetë.
facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
